Formula 1, prezantohet Ferrari i ri Alonso: Nisemi perseri nga 0!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ferrari ka prezantuar dje modelin F14T me të cilin kjo skuadër do të garojë në këtë sezon të Formula 1. Në këtë eveniment, pilotët dhe drejtuesit e “kokëkuqes” kanë treguar ambiciet e tyre për vitin 2014 ku të gjithë presin të shohin skuadrën më të përfshirë në luftën për titull përballë hegjemonisë shumëvjeçare të Red Bull.
Fernando Alonso ka pranuar se skuadra është shumë e fortë, por nuk ka shfaqur eufori. “A jemi dyshja më e mirë e pilotëve? Kjo duhet parë në garë. Por mendoj se kemi një skuadër të fortë. Si unë, ashtu edhe Kimi, kemi arritur suksese në Formula 1 në të kaluarën, por në çdo sezon nisemi gjithmonë nga zero. Në këtë sezon do të ketë disa ndryshime, që normalisht do të sjellin edhe modifikim në stilin e drejtimit, me rregulla krejtësisht të ndryshme. Jemi të gjithë shumë kureshtarë të shohim se si do të jetë kjo Formula 1 e re”.
Nëse spanjolli ka preferuar të ruajë qetësinë, shoku i tij i skuadrës, finlandezi Kimi Raikonen, është shfaqur shumë më entuziast dhe nuk ka fshehur ambiciet që ka. “Është e bukur të kthehem te Ferrari, skuadra ku fitova titullin në vitin 2007. Sigurisht që objektivi mbetet i njëjti, të mundohemi të fitojmë gara dhe tituj. Koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë, por padyshim që objektivi do të jetë të luftojmë për Botërorin”.
Këtë objektiv të qartë e ka konfirmuar edhe presidenti i Ferrarit, Luka Di Montezemolo, i cili dëshiron që pas shumë vitesh të shohë përsëri një pilot të tijin të ngrejë lart trofeun e kampionatit. “Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, ju e dini se çfarë duhet të pretendoni nga ne. Jam i lumtur që kam dy pilotë të tillë. Është një skuadër e rinovuar, me dy pilotë shumë të fortë, të cilët e dinë se nuk duhet të garojnë për veten, por për Ferrarin. Jam mërzitur duke përfunduar i dyti. Kuptohet që duhen pritur provat e para për të parë se ku jemi në raport me të tjerët, por në pistë do ta shohim situatën reale pas disa javësh”, ishin fjalët e presidentit të Ferrarit pas këtij prezantimi.
Në këtë sezon të Formula 1, ndryshimet më të reja teknike kanë të bëjnë me kthimin e turbokompresorëve dhe përdorimin e motorëve të rinj 1.6 litra V6. Motori do të limitohet në 15 mijë xhiro, ndërsa duhet të durojë 4 mijë kilometra, dyfishin e motorëve që përdoreshin në sezonin e kaluar. Për sa u përket ndryshimeve të rregulloreve sportive, ajo që bie më shumë në sy në këtë sezon është caktimi i dyfishit të pikëve në garën e fundit në kalendar, atë që zhvillohet me 23 nëntor në Abu Dabi.