e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Valdet Rama: Krenar qe luaj per kuqezinjte!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Valdet Rama: Krenar qe luaj per kuqezinjte!

Valdet Rama nuk ka ndërmend që t’i “tradhtojë” ngjyrat kuqezi dhe në të ardhmen të luajë për Kosovën. Edhe pse ndihet ngushtë kur i bëhet një pyetje e tillë, mesfushori me tipare ofensive i Kombëtares shqiptare ka bërë të ditur, në një intervistë dhënë emisionit “Interaktiv” në Kosovë, se ai ndihet krenar që luan për kuqezinjtë. Sakaq, sipas tij, nuk duhen bërë diferenca mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi për të do ishte njëlloj si të ndaje babanë nga nëna. “Kam qenë shumë i kënaqur që Kosova më në fund është lejuar nga FIFA që të bëjë ndeshje miqësore. Besoj se ka qenë një hap i madh për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi. Kosovë apo Shqipëri? Më kanë pyetur shumë njerëz për këtë gjë dhe të them të drejtën jam ndier ngushtë. Është një nga ato pyetje, njëlloj sikur na e bënin kur ishim të vegjël: cilin do më shumë, babën apo nënën.

Atëherë e ndieje vetën ngushtë, por edhe tani jam në të njëjtin pozicion dhe nuk di se çfarë të them. Për momentin, unë do të luaj për Shqipërinë. Do vazhdoj të luaj për atë Kombëtare dhe ju siguroj se e ndiej veten krenar në atë skuadër”, – ka thënë Rama. Mesfushori i Valadolidit iu afrua skuadrës sonë përfaqësuese vitin e shkuar, para ndeshjes me Norvegjinë në Tiranë. Në harkun e vetëm pak kohëve, ai u bë gati një lider në mesfushë, aq sa trajneri De Biazi e konsideron një titullar të padiskutueshëm. Në kualifikimet për Europianin e 2016-ës, sipas asaj që ka thënë vetë De Biazi, Valdet Rama pritet të mbulojë një tjetër rol në skuadër, atë të fantazistit.