Halili takim me skuadrën, do triumf ndaj kurbinasve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme sa i përket realizimit të objektivave. Përballja me kurbinasit ka jo vetëm vlerën e tri pikëve, por ajo është një tregues i qartë i vazhdimë- sisë së bardhebluve në këtë fazë finale ku kryeqytetasit janë në garë për objektivin... Europë.
Gjatë pasdites së djeshme, presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka bërë një mbledhje me skuadrën ku ka kërkuar prej tyre maksimumin në këtë sfidë dhe realizimin e objektivave për këtë sezon. "Presidenti Refik Halili ka zhvilluar sot një mbledhje tepër të rëndësishme me skuadrën.
Ndeshja me Laçin është vendimtare për objektivin sezonal. Serioziteti, respekti ndaj fanellës, përkushtimi në fushë dhe jashtë saj kanë qenë temat kryesore të diskutimit në mbledhjen e sotme. Presidenti i ka treguar skuadrës planet afatshkurtra dhe projektin për të ardhmen.
Gjithashtu, së bashku me trajnerin Ilir Daja, skuadrës i është kërkuar mobilizim maksimal për të marrë më të mirën në ndeshjen përballë Laçit", është njoftimi që ka bërë vetë klubi në faqen zyrtare në rrjetin social "Facebook".
Tirana e ka thyer "tersin" me kurbinasit dhe ky takim do të shërbejë edhe një herë si barometër i forcave që lojtarët do të tregojnë në fushën e lojës, nëse duan që të konfirmohen edhe një herë si ekipi që do të qëndrojë në garë për një vend në Ligat e Europës.