Zeka do vazhdimësi edhe në kryeqytet: Ia dalim
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Eugent Zeka ndihet optimist për takimin e sotëm kundër Tiranës në "Selman Stërmasi". Pavarësisht diferencës në pikë (kanë 13 pikë më pak se kundërshtari), trajneri i Laçit mendon se skuadra që ai drejton prej disa javësh është e aftë të matet më këdo si e barabartë.
Këtë mendim shkodrani i bardhezinjve e ka prej paraqitjes së kurbinasve në dy ndeshjet e fundit, ndërsa për kampionat barazuan me Partizanin dhe në Kupë mposhtën Skënderbeun. "Gjatë seancave të fundit, skuadra po shfaqet mjaft e përpiktë në kryerjen e detyrave.
Gjendja e mirë, pas dy rezultateve pozitive, duket se po u shërben futbollistëve për të qenë aktivë. Nuk kemi asnjë të dëmtuar. Stafi teknik është para zgjedhjeve më të mira të mundshme dhe sot (dje) u munduam të saktësojmë futbollistët me të cilët do të dalim në fushë.
Nuk do të jetë e lehtë sepse Tirana, përveç emrit që ka, zotëron disa pika, të cilat e bëjnë kundërshtarin e radhës të kërkojë vazhdimësinë. Gjithsesi, kam besim se me kontingjentin dhe punën e bërë këto ditë do të arrijmë të shfaqemi mjaft mirë", u shpreh Zeka gjatë një bisede me gazetën.
Përgatitjet - Sikurse të enjten, edhe dje skuadra është stërvitur në fushat sintetike të Kamzës. Pas procesit të nxehmjes, stafi teknik ka punuar për shumë minuta me taktikën. Madje, gjatë lojës me top, Zeka ka udhëzuar në momente të caktuara për të qenë më të vë- mendshëm në çastin kur skuadra humbet topin.
Në fund, trajneri i vendosi lojtarët në një zonë të shkurtër, ndërsa skuadra "A" dhe ajo "B" u ndeshën mes tyre për rreth 20 minuta. Për ndeshjen me Tiranën, bardhezinjtë synojnë të marrin së paku një pikë, e cila, sipas tyre, do ta mbante të qetë në pozicionin aktual që kanë në tabelë.
Vendosja - Zeka pritet që të bëjë pak ose aspak ndryshime nga formacioni që u hodh në fushë gjatë mesjavës. Madje do të ketë vend edhe për Shetën, i cili ndaj Skënderbeut ishte i pezulluar. Kështu, para Selmanit do të jenë me gjasë Ademir nga e djathta, Sheta dhe Buljan në qendër, ndërsa Çela në të majtë.
Sigurisht që zhvillime priten në mesfushë aty ku përveç Veliajt, në formë ideale këto javët e fundit, askush nuk e ka vendin e sigurt. Gjithsesi, Gocaj në të djathtë dhe Sefgjini në të majtë duken më pranë. Pikëpyetje për partnerin e kapitenit në mesfushë. Mund të jetë Mustafa, por duke parë rikthimin e Zefit, nuk përjashtohet mundësia që laçiani ta nisë shpejt. Në vijën e parë, Cetkoviç është i sigurt. Një mes Mitrajt dhe Nimanit do të bëjë sulmuesin në majë.