Hakmarrje, por Juve shijon edhe rekordin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dhe në fund fiton Juventusi, fiton gjithmonë Juventusi, 32 suksese në 37 ndeshje të luajtura, ndonëse triumfi i djeshëm vlen sa një titull i dyfishtë, pasi mundin edhe Romën në “Olimpiko”, 1-0, me një skenar të denjë për filmat hollivudian. Një gol, vetëm pesë sekonda nga fundi i takimit, i ish-it Pablo Daniel Osvaldo, atij që tifozët verdhekuq e larguan nga Roma, pasi arritën deri aty sa ta kërcënonin edhe me jetë, e dërgojnë “Zonjën e Vjetër” në kuotën e 99 pikëve, një marshim i frikshëm ky i skuadrës së Antonio Kontes sivjet, që thyen edhe rekordin historik të Serisë A, të vulosur në sezonin 2006- 2007, nga Interi i Roberto Mançinit, me 97 pikë. Prandaj, të dielën kundër Kaljarit, në “Juventus Stadium”, bardhezinjve do i mjaftojë vetëm një pikë për të shkruar një legjendë, atë të 100 pikëve, ndonëse shifrat përfundimtare mund të jenë 102, në rast fitoreje. Roma provoi ta fitonte takimin, për tifozët e saj, për krenarinë personale të një sezoni që nisi dhe përfundoi me një ndjekje të kotë, por Juventusi dhe Osvaldo i dhanë një tjetër shuplakë të fortë “ujqërve” që nuk ditën të kafshojnë dhe të trembin këtë skuadër madhështore, pavarësisht kërcënimeve të shumta të muajve të fundit, mbi një përmbysje të mundshme. Gjithsesi, të ndërgjegjshëm se për të qenë në nivelin e torinezëve u duhet ende punë, edhe kryeqytetasit festojnë rikthimin e tyre në Champions.
Barut i lagur - Ndeshja nuk nis me një ritëm të lartë, por është dëfryese për publikun dhe me kalimin e minutave atmosfera ndizet, fillimisht me një nervozizëm të fortë të shfaqur nga Toti dhe Kielini. Juventusi është i pari që i afrohet golit, me Tevezin, por argjentinasi shpërdoron në mënyrë të pabesueshme. Ndërsa Roma tund rrjetën, por Torosidhis devijon në rrjetë me dorë dhe me të drejtë goli anulohet, për herë të parë në këtë sezon, nga një asistent i portës, që shmang gabimin e mundshëm të kryesorit Ruso, që fillimisht akordoi. Në minutën e 26-të, nis një duel personal mes Jorentes dhe portierit të ri, Skorupski, por polaku tregohet në tre raste shumë i zoti kundrejt spanjollit, duke i frenuar dy herë të majtën e tij, ashtu sikurse një goditje me kokë, vetëm pak centimetra larg portës. Nga anët e Storarit ai që krijon rrezikshmëri është vetëm Zhervinjo, por as shënjestra e afrikanit, ashtu sikurse ajo e Naingolanit nuk mjaftojnë për të gjetur avantazhin. Në fund, rastin më të pastër për gol e krijon Pogba, kur me një driblim shtri në tokë dy kundërshtarë romanistë, por e majta e tij përfundon vetëm në shtyllë.
Hakmarrja e Osvaldos - Edhe pjesa e dytë, më shumë sesa sulmuesit, ekzalton portierit, me Storarin që bëhet protagonist absolut duke frenuar Pjaniçin në fillim dhe më pas me një dopio pritje kundrejt Naingolanit dhe Florencit shumë pranë portës. Juventusit i ka bërë llogaritë, i mjafton një pikë që të tentojë 100 pikëshin në ndeshjen e fundit me Kaljarin, por në aksionin e fundit, në minutën e 93, nis kundërsulmin perfekt, me Lihshtajnerin që zbret në të djathtë dhe lëshon në qendër pasimin perfekt për Osvaldon, që me të djathtën dërgon sferën në trekëndëshin e portës, me Juventusin që feston sërish.
Mungojnë dy të kuqe për Kielinin e Torosidhisin
Takimi i djeshëm ka qenë shumë i dhunshëm, me disa kartonë të kuq që mungojnë. Ai që e analizon është ish-arbitri Paparesta: “Ruso e drejtoi plot ankth dhe frikë këtë takim. Në pjesën e dytë mungonin dy kartonë të kuq të sigurt, i pari për Kielinin për një bërryl të juventinit ndaj Pjaniçit, ndërsa i dyti në dëm të Torosidhisit për një ndërhyrje të frikshme, në minutën e 90-të ndaj Tevezit. Gabim flagrant i tiji në pjesën e parë, kur Torosidhis shënon me dorë dhe ai e akordon, por arbitri i portës tregohet i zoti dhe merr guximin ta anulojë. Juventusit i mungon një penallti në pjesën e parë, për një tërheqje të dukshme të Benatias ndaj Jorentes, por edhe këtu mungon kurajo. Një rast për t’u studiuar me imtësi është edhe goli i Osvaldos, pasi në momentin e goditjes Tevez është në rrezen e topit dhe shumë pranë portierit të Romës, diçka që mund të influencojë reagimin e mbrojtësit ekstrem verdhekuq, ndaj nëse do ishte anuluar ky gol, nuk do kishte qenë një gabim, përkundrazi”.