Dritherima ne Spanje, titulli ne javen e fundit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Titulli kampion do të vendoset në javën e fundit të La Ligas, megjithatë nga lufta tërhiqet Real Madridi, që mundet në Vigo nga Selta, ndërsa në fushë luan me një formacion rezervash. Kurorën e Spanjës do ta fitojë një mes Atletikos dhe Barçës të shtunën e ardhshme, ndërsa të dyja ekipet dje nuk kanë shkuar më shumë se një barazim, respektivisht ndaj Malagas dhe Elkes. Blaugranave u bën punë vetëm fitorja, pasi në takimin e parë me bardhekuqtë në “Kalderon” ata kanë barazuar 0-0, ndërsa madrilenët janë para tyre tri pikë.
Harakiri bardhekuq - Diego Simeone duhet të heqë dorë nga Diego Kosta, viktimë e një dëmtimi të lehtë në këmbën e djathtë, por që nuk sjell shqetësime për sfidën e Lisbonës. Ndërkohë në fushë është Arda Turani, me Raul Garsian që formon dyshen e sulmit me David Vijan. “Stadiumi ‘Kalderon’ është plot me tifozë, të cilët e nxehin atmosferën dhe u imponojë bardhekuqve një ritëm të shpejtë. Në 40-ën minutë e para ka shumë raste të shpërdoruara nga të zotët e shtëpisë, duke nisur që nga traversa e goditur nga Vija në të 12-ën minutë. Mirëpo, bardhekuqtë e lënë veten që të preken nga ankthi dhe nervozizmi pas një pjese të parë të dominuar. Kur duheshin edhe 20 minuta nga fundi, pësojnë gol pas një goditjeje me kokë të Samuelit, pas një gabimi të dyshes mbrojtëse madrilene Miranda- Alderveireld. Dëshpërohet Simeone në stol, që nuk ka më zëvendësime në dispozicion, pasi luajti letrat Sosa, Diego dhe Adrian. Por, për t’u dhënë oksigjen tifozëve mendon mbrojtësi i qendrës belg Alderveireld, i cili sjell barazimin në të 74-ën minutë, pas një goditjeje këndi. Pasi shmangi makthin, Atletiko kërkon golin e fitores dhe e prek me Raul Garsian dhe Adrianin në fund. Mirëpo, do t’i duhet të vuajë edhe 90 minuta.
Rast i humbur – Te Barça, trajneri Martino hedh në fushë Fabregasin, që luan takimin e 150-të me blaugranat. Ndërsa në sulm, për t’i bërë shoqëri Mesit, bashkë me Pedron është Sançezi, i cili ndaj Elkes në takimin e fazës së parë ishte protagonist i një triplete fantastike. Mirëpo këtë herë vendësit, të cilët kërkojnë shpëtimin, tregohen një rival shumë i vështirë, pavarësisht mësymjes së blaugranave. Më aktivët janë Sançez, Mesi dhe Pedro, që gjithnjë hasin në përgjigjet e gardianit Herrera. Golit i afrohet Iniesta, i cili në të 14-ën minutë kap traversën me një të djathtë fluturimthi. Çerekorëshi i fundit e kthen portën e Elkes në një tabelë qitjeje, por pavarësisht ndërrimeve të Martinos as Tejo dhe as Ksavi nuk bëjnë dot gjë.
Flamur i bardhë - Ançeloti është i detyruar që të hedhë në fushë një skuadër të mbushur me rezerva, me një dyshe sulmi jo në lartësinë e duhur, ndërsa yjet e Realit janë lënë pushim. Përveç Ronaldos, që u vendos të mos hidhej në fushë për shkak të një shqetësimi fizik, jashtë u la edhe Benzema (mori një goditje në stërvitje), Bejl, Pepe, Varane, Karvajal dhe Di Maria. Morata dhe Isko kanë detyrën e vështirë që të luftojnë për titullin. “Galaktikët” përpiqen shumë, por vuajnë nga kundërsulmet e miqve dhe çalojnë në mbrojtje. Në minutën e 42-të Çarles përfiton nga një dhuratë e Serxhio Ramosit dhe ndëshkon Diego Lopezin, duke shuar ëndrrën madrilene. “Galaktikët” shtojnë sulmet, por në të 64-ën minutë ndëshkohen prapë nga Çarlesi.