e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Granit Xhaka kunder Canes: Kosova ka kombetaren e vet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Granit Xhaka kunder Canes: Kosova ka kombetaren e vet

Granit Xhaka është kundër krijimit të një Kombëtareje të përbashkët Kosovës-Shqipëri. Në ndryshim nga kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, Xhaka mendon se përderisa kemi të bëjmë me dy shtete sovrane, duhet që edhe futbolli të vijojë në këtë linjë. “Është e vërtetë se ne jemi një komb, por kemi dy shtete. Realiteti është i tillë. Pasi që tani e kemi shtetin, si Kosovë, duhet të bëjmë edhe përfaqësuesen e futbollit të Kosovës”, ka deklaruar mesfushori prishtinas në një intervistë për portalin “Albinfo.ch.” “Ne si lojtarë shqiptarë në Kombëtaren e Zvicrës kemi biseduar së bashku dhe e kemi përgëzuar vendimin për lejimin e miqësoreve të Kombëtares së Kosovës. Kështu do t’i jepet një shans lojtarëve nga Kosova që të shpërthejnë izolimin, të luajnë me ekipe të vendeve të huaja. Krejt në fund, unë besoj se Kosova do të ketë një ekip shumë të mirë”, tha Xhaka.

Lojtari i përfaqësueses së Zvicrës nuk e ka përjashtuar mundësinë që të luajë për përfaqësuesen e Kosovës, kur kjo e fundit të pranohet në FIFA. “Unë i jam mirënjohës Zvicrës për të gjitha. Jam lindur në këtë vend, këtu e kam kryer shkollimin, kam mësuar lojën e futbollit dhe jam bërë ky që jam. Ndërkohë vendin tim, Kosovën, nuk e harroj kurrë dhe jam shumë i lidhur me të. Por, siç e thashë, angazhimi për Kosovën në këtë fazë, nuk është temë. Nëse Kosova pranohet me të drejta të plota si anëtare e FIFA-s, atëherë mund ta rishikoj pozicionin tim”, theksoi ai. Në përfaqësuesen e Zvicrës aktualisht janë pesë futbollistë shqiptarë: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemjali, Admir Mehmedi dhe Granit Xhaka. Ky i fundit thotë se gjatë grumbullimeve me ekipin helvetik flasin vetëm shqip.

“Patjetër që flasim shqip”, ka thënë Xhaka, i cili tregon se Xherdan Shaqiri përkujdeset për humorin në ekip. Përfaqësuesja e Zvicrës ishte në të njëjtin grup me Kombëtaren shqiptare në eliminatoret për Kampionatin Botëror “Brazili 2014″. Xhaka tregon se nuk e kanë pasur aspak të lehtë në përballjet me ekipin kuqezi. “Duhet të them se sidomos periudha kur kemi luajtur kundër Shqipërisë nuk ka qenë aspak e lehtë, jo vetëm për ne, futbollistët shqiptarë të Zvicrës, por edhe për familjet tona. Të luash në Zvicër dhe të dëgjosh fishkëllimat e 13 mijë shqiptarëve kundër teje, nuk është aspak ndjenjë e mirë. Por tash, pasi Kosova e fitoi të drejtën për të zhvilluar ndeshje miqësore në kuadrin e FIFA-s, ky presion ka rënë, situata është bërë më e qetë”, thotë ai. Xhaka tregon se nuk zgjedh asnjë vend tjetër para Kosovës për të pushuar. “Në Kosovë shkoj çdo dimër dhe çdo verë. Në fakt unë që 8 vjeç nuk kam bërë fare pushime tjetërkund veç në Kosovë. Nuk lakmoj që të shkoj askund tjetër. Më mjafton Kosova, aty i kam familjarët, gjyshërit dhe të tjerët, prandaj atje kaloj më së miri”, përfundon Xhkaka.