e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fillojne lamtumirat nga kombetarja

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fillojne lamtumirat nga kombetarja

Kombëtarja shqiptare e futbollit po ndahet përfundimisht nga e kaluara dhe po hap dyert gjithnjë e më shumë për futbollistët e rinj. Ky ka qenë objektivi i trajnerit De Biazi që nga emërimi i tij në krye të kuqezinjve dhe kjo duket se do të jetë rruga që do të vazhdohet të ndiqet gjatë dyvjeçarit në vazhdim. Dje, Armend Dallku u ka dhënë lamtumirën pas 64 ndeshjeve kuqezinjve, ndërsa shembullin e tij pritet ta ndjekin shumë shpejt futbollistë të tjerë, të cilët në vitet e kaluara kanë mbajtur një rol qendror në radhët e kësaj përfaqësueseje.

Fakti se De Biazi ka dashur të shkëputet thuajse tërësisht nga Shqipëria “e vjetër” shihej qartë në zgjedhjet e bëra nga tekniku për ndeshjen kundër Maltës. Mungesa mes të grumbulluarve e atyre që me shaka brenda grupit kuqezi cilësohen “veteranët” si Dallku, Bulku, Curri, Teli apo edhe Vangjeli, bënte të qartë orientimin e trajnerit, i cili nuk ka ngurruar të konfirmojë para gazetarëve se e shihte të vështirë grumbullimin e tyre në të ardhmen.

Ndaj Armend Dallku nuk ka vonuar shumë për të konfirmuar largimin përfundimtar nga kombëtarja, duke qenë ndër të paktët lojtarë kuqezi që e bën një gjë të tillë me dëshirë edhe pse vazhdon të luajë futboll. Mbrojtësi 30-vjeçar do të vazhdojë karrierën e tij me klubin e Vorskla Poltavës në Ukrainë, por jo më me fanellën kuqezi, të cilën e ka mbajtur veshur që nga viti 2004, fillimisht me kombëtaren U-21 e më pas edhe me atë A. Por Dallku nuk do të jetë futbollisti i vetëm që i jep lamtumirën me dëshirë kombëtares, pasi shembullin e tij pritet ta ndjekin edhe shumë të tjerë, duke i komunikuar zyrtarisht FSHF-së vendimin për të mos qenë më pjesë e kuqezinjve. Shumë nga emrat që kanë munguar në listën e De Biazit në ndeshjet e fundit, pritet që në muajt në vazhdim të ndjekin të njëjtën rrugë.

I pari në listë është padyshim Erjon Bogdani, golashënuesi rekordmen me fanellën kuqezi. “Er-Bomber” po bëhet gati të largohet përfundimisht nga futbolli i luajtur, pas një sezoni ku e kishte të pamundur të gjente një sistemim cilësor. Ndonëse De Biazi ka bërë të qartë se zëvendësimi i tij është një nga detyrat më të vështira në përfaqësuese, për Bogdanin nuk do të ketë më kthim mbrapa.

Ndërkohë, lamtumirën kombëtares pritet që shumë shpejt t’ia japin edhe mbrojtësit Debatik Curri (29 vjeç) dhe Admir Teli (32 vjeç), lojtarë të cilët do të vazhdojnë të japin kontributin vetëm për klubet respektive ku luajnë. Situata e Bulkut dhe Vangjelit është më ndryshe. Si mesfushori 33-vjeçar, ashtu edhe mbrojtësi 28-vjeçar, pritet të grumbullohen në miqësoret e radhës, për të vendosur nëse mund të ndihmojnë kontingjentin kuqezi gjatë eliminatoreve të Euro 2016.

Granit Xhaka: “Jemi një komb, por kemi dy shtete” - Mesfushori Granit Xhaka është bërë pjesë e debatit në lidhje me ndarjen në dy kombëtare shqiptare, të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke qenë pro krijimit të përfaqësueses kosovare. “Është e vërtetë se ne jemi një komb, por kemi dy shtete. Realiteti është i tillë. Pasi tani kemi shtetin e Kosovës, duhet të bëjmë edhe përfaqësuesen e futbollit të Kosovës. Ne, si lojtarë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës, kemi biseduar së bashku dhe e kemi përgëzuar vendimin për lejimin e miqësoreve të kombëtares së Kosovës. Kështu do t’u jepet një shans lojtarëve nga Kosova që të shpërthejnë izolimin, të luajnë me ekipe të vendeve të huaja. Unë besoj se Kosova do të ketë një ekip shumë të mirë”, tha ai për albinfo.ch.

Kosovë-Haiti: Serbia kërkon anulimin e miqësoreve - Ndërsa Federata e Futbollit të Kosovës ka filluar kontaktet me Turqinë për zhvillimin e një tjetër miqësoreje në qershor, drejtuesit e Federatës Serbe të Futbollit (FSS) kanë kërkuar zyrtarisht nga FIFA që të anulojë vendimin për këto ndeshje. “Kemi prova që lojtarët vendas mbanin në fanellë emblemën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo është befasuese, duke e pasur parasysh se drejtuesit e ndeshjes është dashur ta vërenin këtë, në bazë të vendimit të marrë nga FIFA”, thuhet në ankesën e FSS-së që i drejtohet presidenti të FIFA-s, Sep Blater, ku i kujtohet atij se emblema të tilla ndaloheshin në marrëveshje.

Armend Dallku - Mbrojtësi ka debutuar me kombëtaren shqiptare ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2005 dhe që atëherë ka veshur 64 herë fanellën kuqezi, duke shënuar 1 gol

Debatik Curri - Mesfushori, që në radhët e kombëtares ka luajtur kryesisht si mbrojtës, ka qenë thuajse gjithmonë jashtë planeve të De Biazit

Ervin Bulku - Mesfushori do të grumbullohet në ndeshjet e ardhshme për të vendosur nëse mund të ndihmojë kuqezinjtë gjatë Euro 2016

Erjon Bogdani - Kthimi i tij në kombëtare është i pamundur, pasi sulmuesi do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur në fund të këtij sezoni