Golden Steit fiton në limite, shkëlqen Majemi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Si të mos mjaftonte potenciali që kanë në organikë, në këtë sezon kampionët në fuqi të NBA-së, Golden Steit, kanë edhe fatin në krahun e tyre, çka u vërtetua në fitoren 109-105 ndaj Atlantës, triumf që erdhi pas kohës shtesë.
Por, mbi të gjitha, ky sukses erdhi pa yllin e skuadrës, Stefen Kurri, në parket, që u la pushim nga trajneri, ndaj dhe diferencën në fushë e bëri Tompson me 26 pikë, ndërkohë që 6 lojtarë realizuan mbi 11 pikë.
Edhe Atlanta pati një lojë të mirë kolektive, por fati këtë herë ndihmoi kampionët në fuqi. Në mbrëmje ka fituar pa probleme edhe Majemi, 129-111 ndaj Çikagos, dy skuadra rivale për titull në Lindje. Një ndeshje fantastike e Majemit, që korri fitoren e 34-t sezonale falë 50 pikëve të dyshes Witsajd-Xhonson.
Ndërsa te Çikago mungoi lojtari lider, Derrik Ros. Rikthehen te fitorja edhe Lejkërsat, që mbrëmë mundën 107-101 Bruklin, sukses që erdhi edhe pse në parket mungoi Kobi Brajant. Ai që bëri liderin për kalifornianët ishte Rusell, i cili realizoi 39 pikë.
Në sfidat e tjera, Portland triumfoi në fushën e Nju Jorkut me shifrat 104- 85, ndeshje ku miqtë ishin gjatë gjithë kohës në epërsi. U dallua Lilard me 30 pikë, lider në parket për miqtë, ndërsa për nju-jorkezët nuk mjaftuan 23 pikët e Antonis.
Nuk zhgënjen edhe Dallas, 121-108 ndaj Orlandos, që korrën fitoren e 33-të sezonale, falë 21 pikëve të Mateus dhe 19 të Novitzkit. Ndërsa Sharlot mposhti 126-92 Feniksin, ndeshje ku të gjithë lojtarët e skuadrës vendase realizuan në koshin kundërshtar.
REZULTATET
Sharlot-Feniks 126-92
Majemi-Çikago 129-111
Nju Jork-Portland 85-104
Dallas-Orlando 121-108
Golden Steit-Atlanta 109-105
Lejkërs-Bruklin 107-101