e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Goditi me kokë kundërshtarin, Kuli: Më shau rëndë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Goditi me kokë kundërshtarin, Kuli: Më shau rëndë

Periudha e dytë e Bekim Kulit në Lushnjë ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme. Karton i kuq pas 61 minutave lojë në ndeshjen e kaluar ndaj Luftëtarit dhe mungesë në pesë sfidat e radhës.

Kuli Bekim te BylisiMesfushori u konfliktua me mesfushorin e bluzinjve, Behar Ramadani, duke e goditur këtë të fundit me kokë. Kështu thuhet edhe në vendimin e djeshëm të Komisionit të Disiplinës që e dënoi Kulin me 5 takime pezullim për goditje me kokë të kundërshtarit.

Kuli

Në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", Kuli sqaron momentin e zënkës.

"Kundërshtari më ofendoi rëndë dhe nuk e prisja nga ai lojtar. Më tradhtuan nervat dhe më vjen shumë keq që e nisa me këtë karton të kuq. U dëshpërova dhe më shumë kur pashë se si përfundoi takimi duke u mundur", deklaron fillimisht Kuli. Pas 10 vjetësh, kavajasi 33-vjeçar riveshi fanellën verdhejeshile si i huazuar nga klubi i Bylisit duke vijuar të synojë një tjetër periudhë pozitive te Lushnja.

"Unë kam shumë për të treguar dhe ky ekip ka shumë për të dhënë. Jam i sigurt për këtë. Ishte ndeshja e parë, kishim disa mungesa dhe nuk na eci fati në disa episode. Patjetër që unë do t'ia shpërblej Lushnjës, drejtuesve dhe atyre tifozëve që më duartrokitën. Përsa i përket dënimit nga Disiplina, është i rëndë dhe absurd. Do ta apeloj", deklaron Kuli.

Ndërkaq, lushnjarët kanë vijuar normalisht me përgatitjet e tyre në kuadrin e ndeshjes me Pogradecin që do ta luajnë ditën e shtunë në "Gjorgji Kyçyku". Te Lushnja do të rikthehen mesfushorët Taullau dhe Alushi pas skualifikimit njëjavor, por do të mungojë Kuli.

Përgatiti: : ALBAN ALUSHI