Godet City, prezantohet Mangala i blere 32 milione paund nga Porto
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Eliaquim Mangala është lojtari më i ri i Manchester City-t. Blerja u zyrtarizua dje në faqen zyrtare në internet të kampionëve të Anglisë, të cilët derdhën plot 32 milionë paund (35 milionë euro) në arkën e skuadrës së Portos ku mbrojtësi luante që prej vitit 2011. 23-vjeçari është blerja më e shtrenjtë e skuadrës së Pellegrinit, e cila humbi me rezultatin 3-0 në finalen e superkupës së Anglisë ndaj Arsenalit. Lojtari u fotografua në Etihat Stadium duke firmosur kontratën 5-vjeçare me klubin e ri, ndërsa shfaqi dhe fanellën e re me numrin 20, të cilën Mangala do ta mbajë mbi shpinë. Strategu Pellegrini e sheh Mangalan si partnerin ideal të Vincent Comapny-s, një nga mbrojtësve më të mirë të Premier League. “City është një nga skuadrat më të mira të momentit. Për mua ishte një hap cilësor në karrierë të kaloja nga Porto tek City.
Tashmë dua të fitoj titullin me këtë skuadër dhe pse jo të ëndërrojmë për Ligën e Kampionëve”, – ishin fjalët e para të Mangalas gjatë prezantimit të tij. “Premier League është një nga kampionatet me emocionues në Europë dhe të qenit pjesë e saj më bën krenar. Jam i lumtur që do të luaj me lojtarë si Fernando, që e kam njohur te Porto, apo Sagna, Clichy apo Nasri”,- theksoi mbrojtësi i ri i City-t. “Jam mjaft i kënaqur që skuadra ime ka tashmë një lojtar si Mangala, me një cilësi dhe teknikë të lartë”-,ishin fjalët e Pellegrinit gjatë prezantimit të lojtarit. “Ai është një lojtar në rritje dhe duke parë cilësitë e tij fizike, mentale dhe teknike mendoj se shumë shpejt do të kthehet në një prej lojtarëve më të mirë në botë. Ai është gati të bëjë debutimin e tij në Angli ku jam i bindur se do të habisë të gjithë me forcën e tij”-, nënvizoi Pellegrini duke i bërë elozhe mbrojtësi të tij më të ri.