Gjykon Jonas Erikson, Juvja dhe Bajerni snjohin humbje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjyqtari i supersfidës mes Bajernit dhe Juventusit do jetë miliarderi suedez Jonas Erikson. Ai është aksionar i dy agjencive të drejtash televizive duke fituar miliona euro. Nën gjykimin e tij, rekordmenët gjermanë nuk kanë humbur asnjë ndeshje.
41-vjeçari suedez ka arbitruar 32 ndeshje të Champions-it, mes të cilave 6 sfida të Bajernit. Në vitin 2014, nën "bilbilin" e suedezit, Bajerni fitoi 3-1 ndaj Mançester Junajtidit dhe 7-1 përballë Romës në "Olimpiko".
Herën e fundit Erikson ka gjykuar ndeshjen e Bajernit kundër Olimpiakosit në nëntor 2015 kur gjermanët fituan 4-0 në shtëpi.
Vlen të përmendet edhe Superkupa e Europës 2013 kur bavarezët fituan me penallti pas barazimit 1-1 në Pragë ndaj Çelsit.
Ndërkohë, për sa i përket Juventusit, precedentët me "bilbilin" nordik janë 3 dhe ashtu si në rastin e gjermanëve, edhe italianët nuk njohin humbje.
Precedenti i parë është në fazën e grupeve, në sezonin 2012-2013, Shahtjor-Juve 0-1. Një vit më pas, sërish në grupet e Champions-it, bardhezinjtë fitonin 3-1 në Torino, përballë FC Kopenhagenit, ndërkohë që i fundit është barazimi 1-1 në "Santiago Bernabeu", vjet në gjysmëfinale, një ndeshje që i dhuroi Juventusit finalen e Ligës së Kampioneve.