Bajerni shuplakë Sitit e Barçës, rinovon për 3 vite me Alabën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajerni i Mynihut ka treguar edhe një herë anën e medaljes në lidhje me yjet e vet. Nëse klubi bavarez pohon se një lojtar i caktuar është i paprekshëm, atëherë kështu ndodh.
U përfol shumë që Barcelona dhe Mançester Siti kanë tentuar t'u rrëmbejnë rekordmenëve gjermanë mbrojtësin e majtë më të mirë në botë, David Alabën.
Në fakt, Rumenige e mohon një interesim të Sitit. "Është gënjeshtër. Guardiola nuk ka folur kurrë me Alabën për një transferim të mundshëm te Siti", siguroi Rumenige. Lojtari më i mirë i Austrisë ka një kontratë deri në vitin 2018 dhe paguhet 5 milionë euro.
Nga burimet e gazetës "Bild", Bajerni i Mynihut ka blinduar edhe talentin austriak. David Alaba është bindur nga krerët e Bajernit dhe do rinovojë kontratën edhe për tre vite të tjera, pra deri në vitin 2021. Firma është çështje kohe.
Nga kjo megakontratë 23-vjeçari do përfitojë dyfishin e pagës aktuale, pra 10 milionë euro. Kujtojmë që kampionët e Gjermanisë blinduan deri në vitin 2021 edhe tre lojtarët, Tomas Myler, Zherom Boateng dhe Havi Martinez. Në fund të sezonit pritet të rinovojë edhe portieri më i mirë në botë, Manuel Nojer së bashku me dy yjet e mesfushës, Riberi dhe Roben.