Flamurtari shpërthen ndaj arbitrave: Të mos bëhen faktorë me vendime tendecioze
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Flamurtari po kalon një moment mjaft të keq dhe rrezuikon seriozisht rënien nga Kategoria. Përveç lojës së dobët, drejtuesit e klubit ia faturojnë disfatat e njëpasnjëshme edhe gabimit të arbitrave ku sipas tyre janë tendecioze dhe po prishin garën.
Gjatë një reagimi në faqen e tyre zyrtare, vlonjatët i bëjnë thirrje FSHF-së dhe arbitrave për të mos gabuar më ndaj tyre dhe të jenë të kujdesshëm.
Deklarata e plotë:
Duke u nisur nga ngjarjet e fundit dhe të vendosur në mënyrë të vazhdueshme përballë gabimeve të shumta "njerëzore" të gjyqtarëve, Flamurtari F.C është i detyruar të reagojë fuqishëm ndaj tyre.
Situata dhe vendime të shumta kontradiktore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e garës së ndershme dhe futbollit Fair-Play.
Flamurtari F.C nuk ka patur asnjëherë në politikat e veta të komentojë vendimet e gjyqtarëve, qofshin këto thjesht njerëzore apo tendencioze, por duket se pas ndeshjes së fundit në kampionat përballë Bylisit , gabimet e quajtura"njerëzore" janë shtuar ndjeshëm dhe si për ironi të fatit, vetëm në dëm të Flamurtarit.
Janë një serë faktorësh të rendësishem, sidomos në ndeshjet e fazës së tretë , të cilat na bëjnë të besojmë se veprimet dhe vendimet në dëm të Flamurtarit janë me tendencë të pastër dhe që duhej të ishin hetuar nga organet më të larta të FSHF-së .
Deri më sot, pavarësisht gjithçkaje të ndodhur në dëm të skuadrës, Flamurtari F.C nuk ka reaguar edhe pse kemi patur të drejtën ta bëjmë një gjë të tillë, ashtu si shumë klube të tjera të cilat nuk kanë reshtur së kontestuari dhe akuzuari Gjyqtarët. Një reagim i tillë vjen sot jo vetëm duke ju referuar ndeshjes së fundit me Bylisin, por edhe shumë takimeve të tjera,për të cilat disponojmë fakte, të shoqëruara edhe me pamje filmike.
Duke filluar nga ndeshja Partizani-Flamurtari në "Qemal Stafa", luajtur më 6 Shkurt të këtij viti, lojtari ynë Telushi ndëshkohet me karton të kuq nga gjyqtari, ndërkohë që po i njëjti gjyqtar në ndeshjen e kampionatit Tirana-Flamurtari në "Selman Stërmasi", në datë 9 Mars, për një ndërhyrje horror të mbrojtësit Karan, në dëm të Alvesh, jep vetëm karton të verdhë, ndërsa për shkak të atij demtimi, lojtari ynë vijon ende të mungojë.
Po i kthehemi ndeshjes Flamurtari-Laci në Vlorë në datë 13 shkurt, janë dy lojtarë të Laçit që meritojnë karton të kuq, fakt ky që u pranua nga të gjithë specialistët e moviolës, ku në nje ndërhyrje lojtari i Flamurtarit, Nicolini mund të rrezikonte edhe karrierën, por nga gjyqtari kryesor nuk akordohet as goditje dënimi dhe jo me të pretendohet për karton. (E shoqeruar me video rasti 1)
Në ndeshjen me Vllazninë , Flamurtarit i mohohet një gol i rregullt, dhe lojtari që e realizon atë ndëshkohet me karton të verdhë për vazhdimin e lojës, duke ndikuar në afrimin e pezullimit të tij, për shkak të plotësimit të numrit tre të kartonave të verdhë. (E shoqeruar me video)
Ndërsa përballë Tërbunit në Vlorë, Flamurtarit i mohohet një gol i rregullt, i pranuar edhe nga moviolat e ndryshme, por edhe akordohet një gol i dyshimtë për kundërshtarët. Për më tepër vjen edhe provokimi i radhës nga komisionet e FSHF-së, me ndëshkimin e klubit financiarisht, për sjellje të gabuar të tifozëve, duke i provokuar ata për ndeshjet në vazhdim.
Ndërsa rasti më i fundit ndeshja me Bylisin në Vlorë. Vec faktit që Flamurtarit nuk ju akorduan, minimalisht dy 11 metërsha, për të mos pretenduar më shumë se kaq dhe një karton të kuq në dëm të kapitenit Telushi, për të cilin faji i vetëm qëndron në faktin se kërceu më shumë se kundërshtari dhe në asnjë moment nuk kemi të bëjmë me goditje dënimi, jo më me karton të kuq.
Por nëse i referohemi vendimeve të gjyqtarëve, pa dashur aspak të merremi me klubet e tjera, të cilat kanë të drejtën e tyre të ankohen, i referohemi dhe minutës së 70-të, në momentin e mos akordimit të penalltisë në dëm të Da Silvës.
Gjyqtari kryesor I ndihmuar dhe nga gjyqtari anësor, jo vetëm që nuk akordon penallti, por në të njëjtin moment, nuk ndëshkon me karton të verdhë, lojtarin që shkaktoi faull, për të cilin duhej të ishte automatikisht karton I kuq, por ndëshkon një tjetër lojtar të Bylisit, i cili i vetë afrohet gjyqtarit, pasi nuk ishte i ndëshkuar.
Vendim që ndoshta nuk është thesht një gabim, por na bën të besojmë se është plotësisht tendencioz dhe këtu besojmë se kemi plotësisht të drejtë. Janë këto vetëm disa nga faktet më flagrante, të provuara nga pamjet filmike, apo edhe moviolat e ndryshme dhe shumë specialist të gjykimit.
Flamurtari F.C është i gatshëm që veç fakteve të sipërpërmendura, të vendosi në dizpozicion edhe pamjet filmike. Me këtë reagim duam të tregojmë se Flamurtari F.C nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë kurrë favorizime, por thjesht rregulla të qarta loje dhe paanshmëri të institucionit që siguron mbarëvajtjen e kampionatit.
Është e papranueshme që në shumë ndeshje, protagonist për rezultatin në fund të takimit nuk janë kundërshtarët, por gjyqtarët. Janë vendime të pranuara të gabuara, por të quajtura "njerëzore", ndërsa referuar fakteve duket se këto të fundit janë shtuar ndjeshëm dhe nuk janë vetëm "njerezore", por brenda tyre kemi tendencë të pastër për të dënuar Flamurtarin.
Shpresojmë që në këtë moment, kur kampionati ka hyrë në një fazë delikate, FSHF dhe gjyqtarët nuk do të bëhen më faktor me vendimet e tyre tendencioze, për të vendosur së cila skuadër do të dalë nga kategoria apo cila skuadër do të dalë kampion, sa mungesa do te ketë një skuadër në ndeshjen pasardhëse, apo sa lojtarë duhen ruajtur për ndeshjen pasardhëse. Këtë duhet ta vendos vetëm fusha e blertë.
I shohim veprimet e FSHF-së si përpjekje të hapura për të censuruar zërin e vetëm që denoncon vazhdimisht fuqishëm, sistemin e ndërtuar prej saj dhe aferat që kompromentojnë Fair Play-in.
I bëjmë thirrje FSHF-së të marrë masa të menjëhershme për mospërsëritjen e këtyre ngjarjeve.