Gjoni shpreson ende te mbijetesa
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pavarësisht se Tërbuni renditet në vendin e fundit në tabelën e Kategorisë Superiore, trajneri Viktor Gjoni shprehet se skuadra e tij nuk i ka humbur shpresat për të mbijetuar.
"Ndeshjet e humbura do t'i harrojmë së bashku me gjykimet që na kanë penalizuar jo pak. Jemi në fundin e klasifikimit, megjithatë kjo nuk do të na pengojë për të synuar një rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Partizanit, që do të luajmë në fushën tonë.
Unë kam besim se lojtarët do të japin më të mirën e tyre, edhe pse përballë të kuqve, që synojnë kreun", ka thënë Gjoni, i cili ka vazhduar duke i falënderuar lojtarët e tij. "Të gjithë po japin maksimumin e tyre dhe për këtë i përgëzoj, pasi po luajnë të papaguar.
Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar futbollistët që të vazhdojnë të luftojnë në fushë. Për ndeshjen ndaj Partizanit, me përjashtim të Karakaçit do të kem në dispozicion të gjithë futbollistët. Gara e Tërbunit ende nuk është mbyllur, pasi vazhdojmë të shpresojmë te mbijetesa", përfundoi Gjoni.