e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gjici takon ultrasit e Partizanit: Skënderbeu ha dru në Kukës

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjici takon ultrasit e Partizanit: Skënderbeu ha dru në Kukës

Safet Gjici u premton ultrasve të Partizanit se Kukësi i tij do të mposhtë këtë të diel Skënderbeun kryesues.takaj gjici "Panorama Sport" zbulon se dje, pak minuta përpara se presidenti të hynte në sallën e Pallatit të Kongreseve ku ishte i ftuar në festën e 70-vjetorit të Partizanit, është takuar me disa përfaqësues të ultrasve të kuq. Këta të fundit, pasi kishin mësuar se klubi kishte ftuar presidentin e Kukësit, kërkonin që t'i bënin Gjicit një surprizë.

Sapo ai ngjiti shkallët e Pallatit të Kongreseve, ultrasit e ndaluan dhe menjëherë e pyetën: "Zoti Gjici, a do ta mundësh Skënderbeun të dielën apo jo?". Dhe presidenti i Kukësit nuk ka ngurruar t'u japë direkt një përgjigje domethënëse, që nga tifozët është marrë si premtim.

"Çuna, Skënderbeu do të hajë dru në Kukës, sepse zgjodhi vetë të rrijë me Laçin", mësohet t'u ketë thënë Gjici tifozëve të Partizanit. Natyrisht ultrasit e kanë pritur mirë këtë përgjigje, por tashmë më shumë se kurrë duan të shohin Kukësin se si do të sillet kundër kampionëve të dielën në "Zeqir Ymeri".

Paragjykimet e shumta që kanë "pushtuar" kampionatin shqiptar në këtë fazë të katërt kanë bërë që edhe tifozët e kuq të jenë dyshues për vazhdimësinë e sezonit. Ata shpresojnë që të bëhet një lojë e pastër dhe, pas përgjigjes që kanë marrë nga Gjici, janë bindur edhe më shumë se Partizani i tyre do të fitojë titullin.

Edhe në ditën e hedhjes së shortit të gjysmëfinaleve të Kupës, presidenti i Kukësit ngacmoi jo pak kreun e klubit korçar, Ardjan Takaj, sa i përket luftës për titull. "Sivjet harroje ti! Do ta marrë Partizani. Ore, po nuk u kënaqe ti? Do prapë kampionat? Kur do të ndalesh?", i ka thënë ndër të tjera Gjici presidentit të korçarëve.

Të dielën në stadiumin "Zeqir Ymeri" pritet një sfidë e ndezur, teksa në fazën e dytë ishin kuksianët që fituan 2-1 ndaj Skënderbeut. Ndërkohë, vlen për t'u theksuar se në festën e Partizanit dje ishte i pranishëm vetëm Gjici i Kukësit nga presidentët e klubeve të Superiores. Gjithashtu, verilindorët kishin si përfaqësues në këtë 70-vjetor të të kuqve edhe dy mbrojtësit: Rrahman Hallaçi dhe Renato Malota, të cilët kanë luajtur në të kaluarën me Partizanin.