e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gjici karikon ekipin, jep 10 milionë lekë para Partizanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjici karikon ekipin, jep 10 milionë lekë para Partizanit

Presidenti Safet Gjici ka akorduar 10 milionë lekë të vjetër si shpërblim për skuadrën, pas kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Gjici
Meqenëse skuadra zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe aq më tepër që përmbysi disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë në Durrës, kreu i klubit të Kukësit mendoi që të shpërblente futbollistët për suksesin.

Mësohet se titullarët kanë marrë nga 400 mijë lekë të vjetër. Para stërvitjes së djeshme lojtarëve iu është bërë i ditur ky fakt dhe iu është ndarë shpërblimi prej 10 milionë lekësh të akorduar nga presidenti Gjici.

Pas këtij lajmi të gëzueshëm, futbollistët dolën në terrenin stërvitor dhe filluan përgatitjet e radhës për Partizanin. Si gjithmonë, para nisjes së stërvitjes, trajneri u ka kërkuar lojtarëve që të kenë përqendrim maksimal dhe të bëjnë më të mirën në stërvitje.

Skuadra filloi me vrapime të lehta dhe streçing, pastaj me kuadrat dhe ushtrime të tjera të karakterit tekniko-taktik. Duro ka këshilluar lojtarët që në takimin me Partizanin duhet të markojnë mirë dhe të sulmojnë frontalisht. Pas fitores dhe kualifikimit me Teutën, trajneri e kishte paralajmëruar ekipin se do të zhvillohej një analizë.

Pjesëtarë të stafit kishin marrë ndeshjen të regjistruar dhe do të analizonin vendosjen apo gabimet e mundshme që ishin bërë, ndonëse në fund gjithçka u kurorëzua me sukses. Analiza ende nuk është realizuar, pasi dy ditët e fundit janë shoqëruar me shpërndarje rrogash dhe premiosh në kampin kuksian para fillimit të seancave.

Kuksianët vijnë me një moral të lartë në ndeshjen e nesërme me Partizanin, i cili u skualifikua nga Kupa. Verilindorët nuk kanë fituar asnjëherë në kryeqytet ndaj të kuqve, kështu që të hënën ata kanë mundësi që të thyejnë këtë tabu. Gjithsesi, kjo nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe Partizani e ka "jetë a vdekje" sfidën e javës së 22-të.

Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi