Gjermani-Angli, histori 108- vjeçare me duele spektakli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duelet mes Gjermanisë dhe Anglisë kanë qenë nga më spektakolaret në historinë e futbollit botëror dhe europian.
Në 90 minuta lojë mes tyre kanë ndodhur gjithçka, të cilat kanë bërë që të mbeten gjatë dhe të paharruara në historinë e këtij sporti.
Kampionët e botës janë përballur 33 herë me "Tre luanët" ku 12 i ka fituar Gjermania dhe 15 Anglia. Gjithçka nisi më 20 prill 1908 në të hënën e Pashkës në Mariendorf. Sot, pjesë e Berlinit. Për Gjermaninë duhej të ishte ndeshja e parë zyrtare dhe kundërshtari quhej... Angli.
Anglezët nuk hodhën në fushë ekipin e parë, por disa amatorë, prandaj si federata angleze dhe FIFA nuk është vlerësuar si ndeshje zyrtare. Para 6 mijë tifozëve, Gjermania humb 1-5 përballë ish-superfuqisë së kohës në futboll.
Duele legjendare
Para 108 vitesh, starton historia e përballjeve mes tyre. Në vitin 1930 u zhvillua ndeshja e parë zyrtare mes tyre në stadiumin "Olimpiashtadion" të Berlinit me një rezultat surprizues 3-3. Para këtij dueli ndodhi diçka interesante, sepse autobusi i kombëtares gjermane pati defekt dhe lojtarët morën taksi për në stadium. Kur po jepej himni kombëtar para duelit, në fushë qëndronte vetëm Anglia. Ndërsa në vitin 1938 dueli mes tyre në Berlin përfundon 3-6 për anglezët para 105 mijë spektatorëve. Skandali i ndeshjes... edhe lojtarët anglezë përshëndetën me formën e Hitlerit.
Viti 1966
Anglia dhe Gjermania qëndronin në finalen e Botërorit. Në kohën shtesë topi kap traversën dhe bën rikoshet me tokën. Gjyqtari vendosi gol për Anglinë, edhe pse nga një këndvështrim nuk ishte i tillë. Anglia fitoi 4-2 finale dhe trofeun. Këtë gol e njeh historia si "Goli i Uemblit".
Viti 1968
Afërsisht pas 60 vitesh Gjermania thyhen akullin duke korrur fitoren e parë ndaj "Tre luanëve". Më 1 qershor 1968 goli i Bekenbauerit u jep fitoren e parë gjermanëve pas 14 sfidave.
Viti 1970
Çerekfinalja legjendare e Botërorit në Meksikë. Në temperaturat 55 gradë në diell nisi i nxehti i Leonit. U zhvillua një ndeshje që tregohet gjithnjë në historinë e futbollit. Bekenbauer, Zeler dhe Gerd Myler i dhanë fitoren 3-2 në shtesë. "Ishte një nga ndeshjet më të mëdha të kombëtares", pati thënë ishtrajneri Helmut Shën.
Viti 1994
Ndeshja mes tyre ishte programuar të luhej në Hamburg, por dikush nuk donte dhe sfida u transferua në Berlin. 50 mijë bileta ishin shitur, por ndeshja nuk u zhvillua. Shkaku? Ndeshja duhej zhvilluar më 20 prill në ditëlindjen e Adolf Hitlerit. Në Hamburg parashikohej një marshim i 10 mijë radikalëve. Teksa gjermanët planifikuan të zhvillohej në Berlin me forca të rrepta sigurie, federata angleze refuzoi.
Viti 2000
Ndeshja e fundit në "Uembli"-n e hershëm. Me një gjuajtje nga 32 metra, Didi Haman shënon gol në minutën e 14-të dhe vulos fatin e takimit.
Viti 2001
Anglia merr hak me një fitore spektakolare 5-1 në Mynih ku Ouen shënon tripletë.
Viti 2010
Gjermania feston triumf magjik 4-1 në 1/ 8-at e Botërorit 2010 ku dy gola i pati shënuar Tomas Myler. Por, anglezët i ndëshkon fati i "golit të Uemblit 1966". Topi i gjuajtur nga Lampard kap traversën dhe futet brenda në portë. Duhej quajtur gol, por jo.