Gega, kampione në Mitingun turk
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Atletja më e mirë sh qiptare, Luiza Gega, ka dhënë sinjalin e parë se në Ballkan, por jo vetëm, nuk ka kundërshtare.
Pas një faze përgatitore disamujore intensive të zhvilluar në Kenia, e zgjedhur si sportistja e vitit nga Federata Shqiptare e Atletikës, rikonfirmohet në elitën e Ballkanit.
Në Kupën e Stambollit në sallat e mbyllura, Gega zuri vendin e parë në garën e 800 metrave me kohën e përgjithshme 2'04". Ndërkohë, pjesë e Mitingut të djeshëm kanë qenë edhe atletët Izmir Smajlaj (rekordmen), sprinteri Eraldo Qerama dhe Adriatik Hoxha (rekordmeni i gjyles).
Në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", shkodrani Smajlaj u shpreh se nuk mundi të shkonte më tepër nga një provë në kërcim së gjati pas katër faulleve. Nga kërcimi i vetëm që bëri në Mitingun e Stambollit, Smajlaj arriti rezultatin 7.31 metra, edhe pse, sipas tij, ishte në superformë.
Tashmë e gjithë vëmendja e tij mbetet gara në kampionatin ballkanik në fundjavë, ku pretendimet janë për titullin e kampionit. Ndërkohë, jashtë zonës së podiumit mbetën edhe dy atletët e tjerë të kombëtares shqiptare, Qerama në garën e 400 metrave dhe durrsaku Hoxha në hedhjen e gjyles.
Veç Gegës së kualifikuar zyrtarisht në Lojërat Olimpike "Rio 2016", të tre këta sportistë janë kandidatë potencialë për Olimpiadën e Brazilit.
Në pamundësi të një kualifikimi direkt, mundësia e fundit për një përfaqësues tjetër të "Mbretëreshës së Sporteve" do të jetë ftesa e Federatës Botërore të Atletikës (IAAF). Këta sportistë drejtoheshin nga trajneri i kombëtares Vildan Tufi.
Pas Mitingut të Stambollit, stafeta kalon në fundjavë në kampionatin ballkanik për të rritur të sallave të mbyllura që organizohet për të pestin edicion radhazi në "Atakoy Athletics Arena". Atletët më të mirë nga 16 shtete, anëtare të Federatës Ballkanike të Atletikës, do të provojnë për zonën e podiumit.
Risi e edicionit të 2016- ës do të jetë pjesëmarrja e kombëtares së Kosovës e njohur ndërkombëtarisht dhe asaj të Azerbajxhanit, por që do të konkurrojnë "out-of-competition".
Kampionati ballkanik i sallave të mbyllura do t'u japë një mundësi shumë të mirë atletëve konkurrentë për të arritur normën e kualifikimit për në kampionatin botëror të sallave të mbyllura që zhvillohet muajin e ardhshëm në Portland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përgatiti: OLGERT SERANI