Gaziantepspor, ofertë 280 mijë për Fejzullahun
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skuadra turke e Gaziantepspor ka zyrtarizuar interesin e saj në drejtim të mbrojtësit të djathtë të Partizanit, Arbnor Fejzullahu.
Ky i fundit po kalon një moment mjaft të mirë me të kuqtë dhe është vëzhguar në disa ndeshje nga përfaqësuesit e klubit që është pjesë e Superligës në kampionatin turk.
Burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë konfirmuar për "Panorama Sport" se ditët e fundit në klub ka mbërritur edhe oferta për futbollistin. Turqit i japin Partizanit 280 mijë euro në këmbim të kartonit të 22-vjeçarit, por klubi i kuq ka kërkuar 300 mijë euro, pra 20 mijë euro më shumë sesa oferta paraprake.
Megjithatë mësohet se bisedimet janë lënë të hapura dhe në fund do të jetë presidenti Demi ai që do të vendosë nëse lojtari do të largohet nga Partizani në fund të sezonit. Për largimin e futbollistit ka pasur edhe më herët zëra për një largim të mundshëm drejt kampionatit italian, por kanë qenë drejtuesit e klubit ata që kanë këmbëngulur për ta mbajtur futbollistin për të paktën edhe këtë sezon futbollistik.
Vëzhgimi
Të njëjtat burime pranë të kuqve kanë bërë me dije se lojtari do të vazhdojë të jetë nën vëzhgim edhe për të paktën pesë ndeshjet në vazhdim nga përfaqësuesit e skuadrës së Gaziantepspor dhe më pas bisedimet do të bëhen më konkrete. Në rast se palët do të bien dakord, atëherë do të ketë edhe një kontratë të firmosur mes tyre.
Menaxherët e klubit turk kanë ndjekur nga afër lojtarin fillimisht në derbin e fazës së tretë ndaj Tiranës, ku Fejzullahu bëri një formë mjaft të mirë, duke dhënë një asist, por shënuar edhe një gol. Pas asaj ndeshje mësohet se lojtari ka qenë nën vëzhgim edhe në dy përballje të tjera dhe ka bindur me formën e tij.
Fejzullahu ka qenë një titullar i padiskutueshëm në dy sezonet e fundit te skuadra e Partizanit, në krahun e djathtë të mbrojtjes. Megjithatë lojtari ka luajtur me sukses dhe në krahun e majtë, në qendër të mesfushës, apo në të djathtë të këtij reparti. Largimi i tij do të jetë një humbje e madhe për formacionin e Partizanit.