Alarm dëmtimesh te Skënderbeu, priten 6 mungesa ndaj Vllaznisë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alarm dëmtimesh te Skënderbeu. Pas sulmuesve Hamdi Salihi dhe Sebino Plaku, në seancën e djeshme stërvitore u dëmtua edhe kapiteni Bledi Shkëmbi, ndërsa probleme ka edhe braziliani Eskuerdinja.
Duke shtuar këtu edhe mesfushorin Bakari Nimaga që u bë disa ditë larg fushave, numri i mungesave të sigurta në ndeshjen ndaj Vllaznisë shkon në 5, pa përmendur edhe sulmuesin Arbër Abilaliaj, i cili ende nuk është riaftësuar plotë- sisht pas operacionit vitin e kaluar. Ditët e fundit të stërvitjes kanë qenë shqetësuese për trajnerin Mirel Josa, i cili ka vetëm repartin e mbrojtjes të plotë në prag të ndeshjes me Vllazninë.
Problemet
Mesfusha dhe sulmi janë repartet më problematike për momentin sa i përket mungesës së alternativave. Sa u përket sulmuesve, Hamdi Salihi ka pë- suar një goditje në ndeshjen e 10 ditëve më parë ndaj Flamurtarit dhe aktualisht ndodhet në Athinë për të bërë terapi më të specializuar.
Kryegolashënuesi pritet që të kthehet vetëm ditën e hënë në Korçë dhe, për pasojë, do të humbë edhe ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë kundër Laçit, që zhvillohet më 6 prill. Nga ana tjetër, vlonjati Arbër Abilaliaj vijon rikuperimin pas atij dëmtimi të rëndë që u pasua me operacion në gju.
Në "bokse" mbetet edhe Sebino Plaku, teksa sulmuesi kryeqytetas ka pësuar një kontraktim në ndeshjen miqësore ndaj Pogradecit fundjavën e kaluar. Dje dhe sot lojtari do të përqendrohet në vrapime dhe nuk do të jetë në dispozicion të Josës për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Probleme të mëdha ka në mesfushë. I pari që nuk ia del për këtë takim është Bakari Nimaga, i rikuperuar nga dëmtimi, por jo në formën e plotë fizike për të përballuar një ndeshje.
Si për ironi të fatit, në seancën e djeshme janë shtuar problemet me dëmtimin e kapitenit Bledi Shkëmbi. Ky i fundit ka pësuar një kontraktim në kofshën e majtë, çka do ta mbajë jashtë për të paktën 6 ditë, duke humbur kështu takimin e radhës. Ndeshjen me Vllazninë do ta humbë edhe braziliani Eskuerdinja, i cili ka pësuar një goditje në kavilje dhe nuk do të jetë në dispozicion të Josës.
Të gjitha këto dëmtime kanë bërë që në Korçë së fundi të ketë ankth, edhe pse kontingjenti që ka skuadra është i kompletuar dhe mungesat mund të mos ndihen. Gjithsesi, zgjedhjet e trajnerit janë të limituara, pasi problem mbetet edhe numri i të huajve. Me shumë mundë- si, mbrojtësi kroat Marko Radas do të ulet në stol, në mënyrë që të krijohet hapësira e një lojtari të huaj në repartet e sulmit dhe mesfushës, aty ku numri i të disponueshmëve është më i cunguar.
Përgatiti: LLAZI SARO