Gaz Demi: Vitet i kemi para për një Partizan kampion
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nën drejtimin e presidentit Gaz Demi, Partizani ka nisur periudhën e ngjitjes, proces i cili ka filluar nga Kategoria e Parë. Presidenti i të kuqve është ngjitur mbrëmë në skenën e festimit të 70-vjetorit të themelimit të klubit në momentin e marrjes së çmimit që Federata e Futbollit Shqiptar akordoi për klubin Partizani.
Hera e parë që qeveria e futbollit shqiptar e bën këtë gjë dhe fati si herë e parë i takoi Partizanit, që nga FSHF u nderua me çmimin "Klub Legjendë". Presidenti Demi nuk shquhet si njeri mediatik, gjë të cilën ai tregon edhe kur vjen në stadium, pasi gjithnjë është sportiv. Por mbrëmë njëshi i të kuqve u ngjit në skenë me një kostum të zi.
Ndonëse bëhej fjalë për një ceremoni festive, Demi evitoi euforinë, pasi në fjalët e tij tregoi maturi duke lënë të kuptohet se te Partizani etapat do të kalohen gradualisht, ndonëse vazhdon pritja e gjatë e titullit. "Në këtë daljen time këtu në podium nuk po merrem me historinë e klubit Partizani dhe skuadrës së futbollit, pasi atë e bëri shumë mirë Agim Fagu, kështu që nuk ia vlen të përsëriten gjërat.
Partizani është klubi i vetëm që ka fituar një kupë ndërkombëtare, Kupën Ballkanike, si dhe ka fituar edhe 15 tituj kampionë dhe 15 Kupa të Shqipërisë, si dhe një Superkupë. Titulli i fundit është fituar shumë vite më parë, 1993, por duhet të dini peripecitë që ka kaluar klubi ku zbriti deri në Kategorinë e Dytë dhe mbeti pa shtëpi.
Ka tri vite që jemi kthyer në Superiore dhe jemi të kënaqur me përparimet që kemi bërë. Vitet i kemi parë dhe do të dalim kampionë. Është folur shumë, por tani po e bëj edhe publike që Partizani do të ndërtojë shtëpinë e tij të re, me akademi moderne dhe stadium.
Unë jam i ri në këtë fushë, por e kuptoj se sa e vështirë është që të financosh në sport, pasi këtu nuk fiton asgjë. Presidentë të futbollit, kryesisht, kanë harxhuar shumë para, prandaj me këtë rast i bëj thirrje edhe politikës që t'i shikojë më mirë nismat e saj në lidhje me sportin. Nuk po them që të japin ndihmë, por të shikojnë politikën e taksave, pasi për momentin në Shqipëri sporti nuk është fitimprurës", u shpreh mes të tjerave presidenti i Partizanit, Gaz Demi.