Garancia vjen nga sulmi, Rajkoviç premton sërish gola
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apolonia po vazhdon të ndjekë hap pas hapi rivalin e saj, Luftëtarin, me vetëm dy pikë diferencë.
Fierakët kanë besim se ato janë të rikuperueshme, pasi kampionati është ende i gjatë kur kanë mbetur dhe tetë ndeshje.
Një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit është sulmuesi shtatlart Marko Rajkoviç, i cili shënoi edhe golin e parë në fitoren 2-1 ndaj Turbinës.
"E gjithë vëmendja jonë është përqendruar te ndeshja e radhës që është e vështirë dhe delikate. Po përgatitemi me kujdesin e duhur në të gjitha aspektet. Unë po kaloj një formë të mirë dhe kam besim se me ndihmën e shokëve do të shënoj sërish ndaj Butrintit dhe skuadra ime do të triumfojë. Kemi një skuadër të fortë, të konsoliduar dhe kompetitive.
Ajo do të jetë e plotë në këtë ndeshje dhe trajneri Mërgjyshi ka luksin të përzgjedhë e të hedhë në fushë formacionin më të mirë. Po kalojmë momente të mira që na bëjnë optimistë për të kërkuar një vazhdimësi të suksesshme që do të na rikthejë në elitë", shprehet Rajkoviç.
Përgatiti: Mikel Mbriçaj