Gafë me Ylli Shehun, FSHF e dekoron si ish-sulmues të Tiranës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndodh edhe kështu. FSHF i jep ish-sulmuesit të Partizanit, Ylli Shehu, titullin "Legjenda e Futbollit shqiptar" dhe në motivacion shkruan ndër të tjera se ka qenë pjesë e Tiranës.
Gafa në pllakatin dorëzuar 49- vjeçarit që ka qenë një idhull për tifozët e kuq në vitet 1985-1993 ka bërë dje xhiron e rrjeteve sociale. "Panorama Sport" kontaktoi me Shehun për ta pyetur rreth ndjesisë së këtij gabimi që, si për ironi, ndodh me rivalin e përjetshëm të Partizanit.
"Ishte thjesht një lapsus, nuk po u besoja syve fillimisht, por më pas telefonova Ilir Shulkun dhe më premtoi se do të zëvendësohej urgjentisht", është shprehur ndër të tjera Shehu gjatë intervistës për gazetën. Aktualisht ish-sulmuesi i shquar është trajner i Kevitanit në Kategorinë e Dytë.
Si mund të ndihet një ish-sulmues i shquar i Partizanit kur merr titullin "Legjenda e Futbollit Shqiptar" dhe në motivacion shkruhet "sulmues virtuoz i skuadrës së Tiranës"...?
Dhe, për më tepër, kjo ndodh me mua që historikisht kam luajtur vetëm për Partizanin (qesh). Për këtë rast më duhet të mirëkuptoj ata që e kanë bërë këtë, sepse kemi të bëjmë me një gafë në tekstin që është shkruar në pllakatin që më dorëzuan. Si për ironi kanë cituar se unë kam luajtur për Tiranën. Motivacioni me siguri që ka qenë për ndonjë ishlojtar tjetër, që ashtu si unë, u vlerësua. Pra, e kanë vendosur emrin tim jo në pllakatin e duhur. Ndoshta kjo që m'u dha mua ka qenë për Shkëlqim Muçën mesa duket, por gjithsesi ishte thjesht lapsus.
Kur e lexuat gafën në tekst, çfarë menduat?
Të them të drejtën, e lexova tekstin e plotë kur shkova në shtëpi dhe jo në momentin kur m'u dorëzua pllakati nga presidenti i FSHF-së. Sigurisht që nuk mund të mendoja se ma kishin bërë qëllimisht. Megjithatë, menjëherë u interesova te drejtuesit e FSHF-së për të sqaruar pse ka ndodhur kështu.
Më konkretisht me cilin kontaktuat nga FSHF dhe çfarë i thatë?
Fola direkt me sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulku. E vura në dijeni për gafën dhe ai më premtoi se kjo do të zëvendësohej urgjentisht.
Kush ju ngacmoi më shumë pas këtij gabimi me rivalin e përjetshëm të Partizanit?
Pasi pashë gabimin që ishte bërë në shtëpi, kam qenë i dyzuar për ta postuar në "Facebook" tim. Megjithatë, sapo e postova, nisën të revoltoheshin tifozët e Partizanit. Më pyesnin: "Po ti, nga na dole me Tiranën". Madje pata dhjetëra telefonata, nga tifozë dhe miqtë të mi, që nuk ishin ndier mirë. Gjithsesi, u mundova t'i qetësoj, edhe pse tifozët e Partizanit e ndiejnë shumë këtë pjesë. Këto janë lapsuse që ndodhin dhe jam mësuar në fakt, pasi nuk e kam për herë të parë.
Keni pasur ndonjë histori tjetër me Tiranën?
(qesh) Jo, por unë e di si bëhen këto gjëra, sepse janë ngatërresa që nuk besojnë vijnë prej FSHF-së, por ngaqë stampohen diku tjetër dhe ka edhe gabime. Përpara se të ndodhte kjo me Tiranën, kur kam marrë licencën UEFA A për trajner, datëlindjen ma kanë shkruar gabim.