Franca nis grumbullimin me dy mungesa, Italia rikthen Balotelin dhe Cercin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Franca dhe Italia janë dy kundërshtaret e luksit të Shqipërisë dhe kanë nisur paralelisht përgatitjet e tyre për miqësoret e radhës në kuadër të përgatitjeve të Europianit “Francë 2016”. Didier Deschamp, tekniku i francezëve ka publikuar programin e skuadrës së tij deri më datë 14 nëntor, ditën kur dhe do të luhet miqësorja. Skuadra franceze nisi grumbullimin mesditën e së hënës, ku disa lojtarë do të testohen për gjendjen e tyre. Të martën, lojtarët e përzgjedhur nga Deschamps do të flasin për mediat në orën 15:45, ndërsa rreth një orë më pas do të nisin seancën stërvitore. Mësohet gjithashtu se ditën e mërkurë “gjelat” do të pushojnë, ndërsa të enjten kombëtarja do të udhëtojë drejt Rennes, ku në datën 14 nëntor do të sfidojë Shqipërinë në “Stade de la Route”. Të enjten në orën 19:00 është parashikuar edhe konferenca për shtyp e trajnerit të kuqezinjve Gianni De Biasi, ndërsa në 19:30 lojtarët shqiptarë do të stërviten në stadiumin e Rennes. Kombëtarja e gjelave ndaj Shqipërisë nuk do të ketë në dispozicion dy futbollistë të rëndësishëm si Blase Matuidi dhe Benoit Tremoulinas.
Mesfushori i PSG-së, Matuidi është një nga lojtarët kyç për trajnerin Deschamps në qendër të mesfushës. Për të zëvendësuar 27-vjeçarin, i cili ka pësuar një frakturë në dorën e djathtë në ndeshjen mes Paris Saint Germain dhe Marseille, numri 1 i stolit të Francës ka grumbulluar mesfushorin e Lionit Maxime Gonalons. Pas Francës, Shqipëria do të përballet edhe me Italinë: Midis 26 lojtarëve të thirrur nga Konte për ndeshjen e së dielës në San Siro kundër Kroacisë dhe më tej në Genoa ndaj Shqipërisë, emri që ka spikatur më tepër dhe që njëkohësisht ka çuditur italianët është ai i Mario Balotelit. Baloteli, një djalosh i përkëdhelur dhe i ndëshkuar shpeshherë nga mediat italiane dhe pse jo në një formë të mirë rikthehet mes axurëve. Përgjigjja e trajnerit Konte ka lënë pak vend për dyshime. “Po përpiqemi të ndërtojmë një skuadër,- është shprehur ai,- dhe Baloteli do të vlerësohet prej meje dhe jo nga ato që thuhen për të.
Më pëlqen t’i testoj lojtarët dhe të kuptoj se sa ata përshtaten me idetë e mia”, – vijoi Konte. “Baloteli po luan si titullar me Liverpulin,- ka veçuar Konte,- dhe sot unë jam i detyruar të thërras shumë lojtarë që nuk luajnë si titullarë. Kjo është një arsye e mirë për ta marrë atë në kombëtare, edhe pse po kalon një periudhë të vështirë. Unë do e vlerësoj atë njësoj si dhe Çerçin. Këta lojtarë kanë qenë një pasuri për futbollin italian, por jashtë kanë hasur vështirësi. Është detyra ime të përcaktoj se sa vlerë dhe dobi do i sjellin ata kësaj kombëtareje”, – ka përfunduar Konte. Axurët përpara përballjes me Shqipërinë kanë një miqësore me Kroacinë. Ndër emrat e rikthyer në përfaqësuesen axure dhe që mund të përballen me Shqipërinë, veç Balotelit është dhe El Shaarawy. Pjesa tjetër e skuadrës është me emra të rinj, të cilët strategu Konte pritet t’i integrojë me veteranët e grupit.