e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Miqesoret, shqiptareve u kushton me shume rruga sesa biletat

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Miqesoret, shqiptareve u kushton me shume rruga sesa biletat

Shqipëria është në prag të dy miqësoreve të luksit. E para ditën e premte në Rene, përballë Francës, dhe e dyta, disa ditë më pas, përballë Italisë në Genoa. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur numrin e biletave të disponueshme për të dyja miqësoret si dhe çmimet e tyre. Prej këndej, me një llogari fare të thjeshtë mund të arrijmë në përfundimin se një shqiptari që kërkon të ndjekë ndonjërën prej miqësoreve më shumë do t’i duhet të paguajë për udhëtimin, akomodimin dhe të gjitha harxhet e tjera, sesa për biletën. Kështu për ndeshjen e Francës janë rezervuar rreth 2 mijë bileta të ndara nëpër sektorë me çmime normal dhe VIP.

Tek sektori i parë çmimi i një bilete kushton 15 euro, ndërsa në sektorin VIP, 65 euro. Po të bësh një kërkim të thjeshtë në internet për çmimet e biletave të avionit në agjencitë përkatëse të udhëtimit, çmimi i biletës për në Francë, Paris, varion rreth 120 euro apo 180 euro vajtje - ardhje për një person (pa përfshirë këtu udhëtimin me makinë nga aeroporti deri në destinacion apo fjetjen e ushqimin). Po ashtu edhe në përballjen e Italisë çmimi i biletës është simbolik, 10 euro, ndërsa janë vendosur në dispozicion 4 mijë bileta. Udhëtimi me traget deri në brigjet italiane varion nga 40 deri në 120 euro dhe më shumë për dhoma me kushte normale dhe makinë. Ndërsa udhëtimi me avion shkon nga 54 deri në 120 euro vajtje-ardhje. Edhe në këtë rast nuk përfshihet fjetja, ushqimi etj. Në përfundim mund të themi se një tifoz kuqezi për të asistuar në një prej miqësoreve të luksit të përfaqësueses shqiptare do t’i duhet të bëjë gati të paktën 300 euro, në rastin më të mirë. Pavarësisht kostove, burime nga FSHF bëjnë të ditur se shumë bileta janë shitur, madje bëhet thirrje për të evituar abuzimet me çmimet.