e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Forca e Gjermanise nje trajner� joge

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Forca e Gjermanise nje trajner� joge
Gjermania është e fortë, bindëse dhe favorite kryesore për fitimin e këtij Evropiani në Poloni e Ukrainë. Por, e gjithë kjo siguri që futbollistët e Joakim Lëvit shfaqin te sportdashësit dhe mbi të gjitha te tifozët ka një sekret që nuk lidhet me taktikën, teknikën dhe skemat. Ky sekret quhet Patrik Brome, që është një profesor joge. Me ushtrimet e tij “magjike” ai kuron jo vetëm trupin, por edhe kokën e futbollistëve.

Ushtrimet e “mjeshtrit” kryhen përpara ndeshjeve dhe përpara çdo stërvitjeje, në mënyrë që gjermanët të zbresin në terrenin e lojës më të qetë psikologjikisht, duke shmangur kështu gjaknxehtësinë dhe një paraqitje sa më profesioniste. Kjo metodë pune për Kombëtaren e Gjermanisë ka nisur në Jug të Francës, në grumbullimin që paraprin fillimin e Evropianit 2012, një proces që vetë trajneri Joakim Lëv këmbënguli që ta vazhdonte edhe gjatë kompeticionit, duke parë shenjat pozitive që ai ofroi te lojtarët e tij. Shumica e tyre vinin nga një sezon stresues dhe shumë i lodhshëm, por kurat që ofronte Patrik Brome dha rezultate fantastike.

Mbase një meritë të madhe në tri fitoret e arritura në grupin e ferrit i ka pasur pikërisht edhe trajneri i jogas, i cili thekson: “Lojtarët nuk duhet të jenë në maksimumin e formës së tyre vetëm nga ana fizike, sepse trupin e komandon mendja, prandaj është pikërisht koka sekreti më i madh i shëndetit”. Më i kënaquri nga ky kurim ka qenë Per Mertesaker, i cili vinte nga një dëmtim i rëndë, por falë Patrik Bromes gjithçka është rikuperuar me sukses dhe shumë më shpejt sesa pritej. Por, siç mësohet nga brenda grumbullimit, ai që e kishte futur këtë lloj kurimi për futbollistët gjermanë ishte ish-trajneri i kombëtares, Jurgen Klinsman, por duke parë rezultatet pozitive që joga dha në vitin 2006, Joakim Lëv e riktheu në përfaqësuesen e tij këtë lloj trajtimi dhe deri tani rezultatet kanë qenë fantastike.

Sekreti i Patrik Bromes… “Nga jashtë futbollistët gjykohen vetëm për milionat që fitojnë dhe më pas kritikohen nëse hasin në një problem të madh. Por, unë me ushtrimet e mia u kërkoj atyre që të relaksohen dhe të mendojnë se fundja janë qenie njerëzore si gjithë të tjerët, prandaj mendimet negative duhet të zerohen, sepse vetëm duke menduar pozitivisht mund të japësh më shumë sesa gjendja jote fizike mund të ta lejojë”, përfundoi trajneri.

Gëce presion Jogit: Jam në superformë, dua të luaj

Pritej të ishte një nga yjet në Ukrainë dhe Poloni, por fantazisti i Borusias së Dortmundit dhe Kombëtares gjermane, Mario Gëce, ka pranuar se ndihet i zhgënjyer nga mosaktivizimi qoftë edhe një minutë në finalet e këtij Evropiani. “Jam në formë të shkëlqyer dhe kam nevojë të luaj. Dua të argëtohem dhe të jap kontributin tim në fitoren e Gjermanisë në një skenë kaq prestigjioze, siç është ky eveniment. Shumë njerëz thonë se unë jam vetëm 20 vjeç dhe më pret një e ardhme e shkëlqyer. Por, asnjë lojtar nuk ndihet i kënaqur kur e sheh veten në stol, pavarësisht moshës që ka”, – u shpreh mesfushori i talentuar përpara ndeshjes me Greqinë. Lidhur me çerekfinalen e rekordmenëve gjermanë, Gëce shtoi: “E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Grekët janë shumë mirë të organizuar mbrapa dhe këtë e treguan me Rusinë. Por, ne jemi Gjermania dhe duhet të shfaqemi superiorë. Kemi besim të madh se me këtë grup lojtarësh ne do t’ia dalim”.

Kancelaria Merkel do të jetë në stadium

Kancelaria gjermane, Angela Merkel, do të jetë zyrtarisht prezente në stadiumin e Gdanskut për të ndjekur çerekfinalen Gjermani-Greqi nesër mbrëma. Shefja e qeverisë gjermane pritej të mos e shikonte ndeshjen nga stadiumi për të mos e rritur presionin politik të kësaj ndeshjeje futbolli, por sipas ministrit gjerman të Financës, Volfgagn Shojble, ajo e ka pranuar ftesën e kryeministrit polak, Donald Tusk. Në një intervistë për “Die Zeit”, Shojble nuk e kurseu dhe një batutë për një takim të mundshëm me kryeministrin e ri grek, Antonis Samaras. “Ndoshta do të takohen pas pushimit të ndeshjes”, – tha ai.