e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dosja sekrete e Levit: Ja si i mund rivalet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dosja sekrete e Levit: Ja si i mund rivalet
Një dosje e mbështjellë me lëkurë të zezë, me jo më shumë se 30 faqe informacione brenda, qarkullon gjatë 90 minutave të ndeshjeve të Gjermanisë nga duart e Joakim Lëvit në ato të njeriut më të besuar të tij në stol, Hansi Flik. Është quajtur dosja sekrete e Joakim Lëvit, por prej ditës së djeshme nuk mbetet më e tillë. Trajneri i Kombëtares gjermane ka pranuar të nxjerrë atë çka fshihet pas 30 faqeve të përmasave A4. Ish-asistenti i Jurgen Klinsmanit në Botërorin e 2006-s ka treguar për “Bild” se ai është një maniak i detajeve. “Kam fakte dhe shifra, asgjë misterioze”, – tregon Jogi pa dashur të hyjë më thellë në shpjegime që do të mund të kompromentonin shanset e 3 herë kampionëve të Evropës për të shkuar në finalen e Kievit më 1 korrik. 52- vjeçari pranon jo pa krenari se ai kurrë nuk ia lë gjërat rastësisë.

Për muaj të tërë, departamenti i Federatës gjermane ka ndërtuar një dosje deri në detajet më të imëta të 15 ekipeve të tjera pjesëmarrëse të Evropianit, e cila i serviret Lëvit dhe Flikut përpara çdo ndeshjeje të këtij turneu. “Ne bëjmë një analizë të kundërshtarit që kemi përballë. Brenda saj ka informacion që nga renditja e deri te mënyra se si i ekzekutojnë goditjet e këndit dhe ato standarde.

I kam emrat e lojtarëve të gjithë përpara, të bashkangjitur me një skedë dhe foto. Kam të shënuar pikat e forta dhe të dobëta të lojtarëve për të pasur mundësi që të kem kohë të kem një përgjigje ndaj çdo të papriture. Madje, edhe numrat e këmbëve të lojtarëve”, – shton Lëv me shaka. Në fund, ai tregon dhe rutinën e një dite normale pune në kampin gjerman. “Pas zgjimit, puna me skuadrën nis në orën 10:00. Zhvillojmë seancën e parë stërvitore dhe pastaj bëjmë një mbledhje për të analizuar kundërshtarin e radhës. Me ndihmën e një projektori dhe kompjuteri, bëjmë zbërthimin deri në detaje të lojtarëve rivalë”.

Nga Khedira te Badshtuber, flasin “muskujt” e Gjermanisë

Sami Khedira është i përqendruar vetëm te përballja e nesërme me Greqinë, duke mos dashur të komentojë një ndeshje të mundshme mes skuadrës së tij dhe rivalëve të vjetër të Anglisë në gjysmëfinale. “Ne e dinim se pas Danimarkës ishte radha e një rivaleje të fortë, siç është Greqia. Kemi nisur stërvitjen me ngarkesë maksimale, sepse e dimë se çfarë na pret. Po mendojmë vetëm për Greqinë. Ata kanë një skuadër të fortë dhe do të bënim gabim fatal në rast se do t’i nënvlerësonim. Nuk mund të mendojmë që tani për gjysmëfinalen apo finalen. Italia dhe Anglia mbeten skuadra shumë të forta”, – u shpreh shkatërruesi i Realit gjatë një konference për shtyp në kampin gjerman.

Tomas Myler - Ndërkohë, përkrah Khedirës ishte edhe sulmuesi i Bajernit, Tomas Myler. Për talentin bavarez ky është viti ku Gjermania mund të prekë majën. “Kjo Gjermani është entuziaste. Presionet negative të medias për ndeshjen me Greqinë duhen lënë mënjanë. Po t’i hidhni një sy se çfarë po ndodh tani në Gjermani, do të befasoheshit. E gjithë kjo mbështetje për kombëtaren tonë në media nuk po pasqyrohet. Është krijuar një situatë sikur ne duhet të na vijë turp po të shpallemi kampionë Evrope”, – shtoi sulmuesi 22-vjeçar.

Toni Kros - Për një protagonist te Bajerni i Mynihut stoli te Gjermania duhet të jetë i vështirë, por Toni Kros nuk ka asnjë dyshim. “Lëv ka shumë besim tek unë dhe nuk jam i pakënaqur që nuk po luaj. Është një kompeticion i gjatë dhe kam besim se do të jem aty kur skuadra të ketë nevojë”, – tha mesfushori. Për Krosin dallimi i këtij turneu është loja në mbrojtje e shumë skuadrave: “Skuadrat priren drejt një futbolli me tipare defensive. Kështu do të jetë dhe me Greqinë të premten. Hapësirat që ata do të lënë do jenë minimale, thuajse inekzistente dhe për t’i thyer do të duhet përqendrim maksimal. Greqia duhet vlerësuar, sepse nuk ka ardhur kot deri këtu. Pastaj mos harroni 2004-në, kur u shpallën kampionë”.

“Ilaçi” i Ozilit quhet Klose

Eshtë kampion me Realin e Madridit, gazetarët spanjollë e votuan në 11-shen më të mirë të La Ligës, por në këtë Evropian Mesut Ozil nuk po përjeton ditët më të bukura të karrierës së tij. Gjatë konferencës së fundit për shtyp të Joakim Lëvit, ai e shpjegoi kështu paraqitjen jo në nivelet e pritura të asit 23-vjeçar: “Ai po vrapon shumë në çdo ndeshje. Detyra e tij është të pasojë për sulmuesit dhe unë jam shumë i kënaqur nga ajo që ka dhënë deri tani. Pastaj, mos harroni se ai nuk ka shpërthyer ende. Në çdo turne i kap majat me kalimin e ndeshjeve”.

Një pjesë e kritikave për fantazistin e Gjermanisë lidhen direkt dhe me Mario Gomezin. Sulmuesi i Bajernit vërtet ka qenë titullar në 3 ndeshjet e para dhe ka shënuar po kaq gola, por atij i mungon lëvizshmëria, dhe me mesfushorin e Realit duket sikur i ndan një oqean. Ozil e ka të vështirë të merret vesh me Gomezin, dhe Lëv e pranon indirekt këtë kur thotë se me skemën që parashikon pykën e Bajernit në sulm, korridoret bëhen gjithnjë e më të rralla, prandaj dhe Gjermania nuk është më aq e bukur si ajo e Botërorit dhe Evropianit të fundit. Por Ozil pikërisht këtu e ka pikën e tij më të fortë. Dhe që trurit të tij t’i përgjigjen dhe këmbët, atij në sulm i duhet një njohje e vjetër, Miroslav Klose. Sulmuesi 34-vjeçar kombinon symbyllurazi me organizatorin dhe kjo për faktin se ai është një lojtar më teknik se Mario. Bunkeri i grekëve nesër ka vetëm një mënyrë për t’u çarë: të shpërthejë Ozil dhe Klose të jetë titullar. “Nuk e përjashtoj që Klose të jetë nga minuta e parë në fushë të premten”, – do të pohonte Lëv.

Gjykon Skomina, “armiku” i Lëvit

Çerekfinalja e dytë mes Greqisë dhe Gjermanisë i është besuar arbitrit slloven, Damir Skomina. Ky gjyqtar është një njohje e vjetër e trajnerit të Gjermanisë, Joakim Lëv. 52- vjeçari ka përfunduar për herë të parë në tribunë pas ndëshkimin me karton të kuq në ndeshjen me Austrinë, e vlefshme për fazën e gupeve në Evropianin e 2008-s (fituar 1- 0 nga gjermanët). Për shkak të këtij pezullimi, menaxheri i “pancerave” u detyrua ta shohë nga tribuna VIP çerekfinalen me Portugalinë në Bazel (fituan gjermanët 3-2). Skomina ishte arbitri i katërt në atë ndeshje, ndërsa Joakim Lëv dhe homologu i tij austriak, Josef Hickersberger, nuk i përmbajtën dot nervat dhe u ndëshkuan të dy me karton të kuq.