e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Flet ish-kapiteni Vata: Meha duhet të jetë në Kombëtare

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Flet ish-kapiteni Vata: Meha duhet të jetë në Kombëtare

Rudi Vata është pro Alban Mehës në Europian. Ishkapiteni i Kombëtares, në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", e thotë hapur se mesfushorin e ka pëlqyer gjithnjë, megjithatë vendimi i De Biazit nuk duhet të diskutohet. Rudi-vataVata analizon edhe listën e miqësoreve të Shqipërisë, të programuara para "Francë 2016".

Sipas tij, Austria është një test ideal për Europianin, ndërsa Luksemburgu edhe pse duket kundërshtar i lehtë, nuk do të rezultojë i tillë.

Shqipëria është kualifikuar në Europian dhe në listën e ndeshjeve testuese që janë siguruar, vetëm Austria mund të veçohet si e fortë...

E rëndësishme është që po bëjmë një ndeshje me një skuadër që ka vlera dhe mund të masim realisht forcën dhe formën e ekipit tonë kombëtar. Sigurisht që kualifikimi në Europian ishte një arritje, por ajo etapë i përket të kaluarës tashmë. Duhet të shohim përpara dhe stafi, federata, apo edhe tifozët presin tashmë një Kombëtare dinjitoze në Francë. Austria gjykoj që është një test ideal për të parë saktësisht gjendjen momentale të ekipit tonë. Gjithashtu, ndeshjet e tjera mendoj se do të shërbejnë për të rregulluar ato defekte që do të shfaqen me Austrinë. Për mendimin tim, stafi ka bërë një zgjedhje inteligjente dhe tashmë mbetet për të parë formën dhe paraqitjen e lojtarëve. Gjithsecili prej tyre duhet të punojë me mendimin që në Francë të jetë në maksimumin e mundësive të veta.

Ju si i gjykoni zgjedhjet e kundërshtarëve, pasi ndeshja e radhës është me Luksemburgun?

Sigurisht që Luksemburgu nuk ka vlera shumë të mëdha në futbollin europian apo atë botëror, por gjithsesi mendoj që për të parë skuadrën nga pikëpamja tekniko-taktike, trajneri ka mundësinë që të shohë edhe ndonjë futbollist që mund të jetë në mëdyshje. Luksemburgu nuk është skuadër e madhe, por është e tillë që të krijon probleme. Edhe në ndeshjen e fundit atje ne kemi humbur, 2-1. Kjo tregon që edhe ky ekip nuk kalohet lehtë, pasi edhe ata kanë krenarinë e tyre. Do të kenë dëshirën që ta përsërisin suksesin e fundit. Gjithsesi, skuadra jonë besoj se do të japë maksimumin dhe të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për trajnerin.

Opinioni sportiv dhe tifozët kanë qenë kundër zgjedhjes së De Biazit për të lënë jashtë Alban Mehën, po ju?

Unë nuk kam çfarë të diskutoj në këtë pikë, pasi e pëlqej shumë Alban Mehën. E kam pëlqyer që në ndeshjet e tij të para me Kombëtaren. Është futbollist që ka pjesë shumë të madhe të kreativitetit dhe mund të ishte një lojtar kyç. Gjithsesi, trajneri, përderisa ka bërë zgjedhjet e tij, mendoj se ka edhe arsyet e veta. Nuk mund të dalim kundër tij tashmë, në një situatë që ekipi është në prag të pjesëmarrjes në finalet e Europianit.

Pra, duhet apo jo Meha në Francë?

Shpresoj që edhe Meha të tregohet sa më profesionist dhe i durueshëm dhe me ndeshjet që kanë mbetur. Pse jo, të dëshmojë që ai është i vlefshëm dhe mbi të gjitha i nevojshëm për Europian. Nuk jam me idenë që ne të kryqëzojmë trajnerin për vendimin që ka marrë, por them që gjithsecili të punojë e të jetë i gatshëm për të pritur momentin. Them që edhe Mehës mund t'i jepet një mundësi para Europianit.

Nëse nuk i jepet shansi në këto miqësore ku edhe eksperimentohet, kur mund ta presë Meha një ftesë?

Meha është një lojtar që njihet tashmë dhe nuk mendoj se ka nevojë për t'u konfirmuar në futbollin shqiptar. Është një element që ka treguar vlerat e tij dhe që e bën këtë edhe në kampionatin turk çdo javë. Unë e pëlqej shumë, jam simpatizant i tij. Do të dëshiroja që ai të ishte pjesë e Kombëtares, por zgjedhjen e trajnerit nuk mund ta kundërshtojmë kurrsesi. De Biazi deri tani ka pasur arritje dhe duket që në grup ka një frymë të mirë, pra ka një marrëdhënie shumë të mirë mes tij dhe lojtarëve.

Sipas jush, a vlen i njëjti diskutim edhe për Salihin, kryegolashënuesin e kampionatit shqiptar?

Dakord, edhe për Salihin është e njëjta situatë. Sigurisht, edhe ai ka vlerat e tij të padiskutueshme për futbollin shqiptar, por duke parë edhe formën e sulmuesve si Cikalleshi, Balaj apo të tjerë, për të mos i renditur të gjithë, skuadra ka futbollistë mjaftueshëm. Nuk e di opinionin e De Biazit për Salihin, por jam i sigurt që ai ka bërë zgjedhje nga ana profesionale dhe jo nga ana e opinioneve apo dëshirave. Besoj që ai e di fare mirë se çfarë ka nevojë ekipi kombëtar, pasi për këtë ka vite që po punon. Tani jemi këtu edhe falë punës së tij, të grupit, stafit drejtues dhe gjithashtu federatës dhe nuk besoj që është e shëndetshme për futbollin që të merremi me gjëra që nuk i shërbejnë kësaj Kombëtareje.

Duhet t'i druhemi euforisë së lojtarëve për këtë arritje, apo faktit që Shqipërisë i mungon eksperienca?

Varet. Tani janë detyra shtëpie për trajnerin. Mendoj që De Biazi ka arritur mjaft mirë që ta harmonizojë këtë Kombëtare. Ai ka arritur të bindë mjaft mirë të gjithë lojtarët dhe shqiptarët që aftësitë tona dhe kapacitetet tona ishin që të mbërrinim deri në këtë pikë. Nuk mendoj që do të ketë eufori dhe nuk mendoj që përfaqësuesja jonë do të niset në Francë me paramendimin "ne kemi bërë gjëra të mëdha dhe jemi një skuadër e madhe". Vazhdojmë që të jemi një komb i vogël, që kemi bërë një arritje të madhe. Duhet të ruajmë këto ekuilibra që edhe reputacioni ynë të vazhdojë të rritet, duke bërë ndeshje të mira dhe duke marrë rezultate gjithashtu.

Përgatiti: OLSI TUJANI