e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fillon renia ne FIFA, humbim 13 vende

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fillon renia ne FIFA, humbim 13 vende

Renditja Botërore e FIFA-s, e publikuar dje, ka konfirmuar rënien e Shqipërisë në vendin e 58 në këtë klasifikim, duke humbur shumë terren të fituar me mund prej disa muajsh nga kombëtarja kuqezi. Që nga prilli i këtij viti, kombëtarja kuqezi gjendej mes 50 skuadrave më të mira në botë, por tashmë e sheh veten jashtë “elitës”, duke zbritur deri në vendin e 58.

Në fakt, një vit më parë, një pozicionim i tillë do të quhej luks për kuqezinjtë e De Biazit, që sapo kishin nisur rrugën e eliminatoreve dhe asokohe mbanin pozicionin e 84-t në botë. Por më pas nisi një ecuri rezultatesh që rriti edhe shpresat për një vend të dytë të mundshëm në grup dhe shanset për të shkuar në play-off të eliminatoreve të Botërorit 2014, si asnjëherë më parë në historinë kuqezi. Kjo u shoqërua me rezultate pozitive në miqësore, që sollën edhe ngjitjen graduale në klasifikimin e FIFA-s.

Dalëngadalë, Shqipëria hyri fillimisht mes 50 ekipeve më të mira në botë, ndërsa më pas vendosi rekord pas rekordi, për të arritur kulmin në muajin korrik. Në atë muaj, kuqezinjtë e De Biazit arritën pozicionimin më të mirë në historinë e kombëtares sonë, me vendin e 37 në botë, duke lënë pas emra të njohur të futbollit europian, pa harruar këtu skuadrat e tjera të grupit tonë të eliminatoreve me përjashtim të Zvicrës.

Por shtatori i dha fund kësaj ecurie me dy humbjet në Slloveni e Qipro, ndërsa në ditët e fundit, disfata ndaj Zvicrës në Tiranë dhe barazimi me një ekip që renditet shumë poshtë në klasifikim si Qipro, bënë të vetën, duke larguar kombëtaren nga pozicionet që zakonisht u përkasin ekipeve që cilësohen të “elitës”.

Në renditjen e tetorit, Shqipëria është e 58-a, pasi ka 563.11 pikë, një shifër mjaft e ulët po të mendohet se një muaj më parë kishim 652.45 pikë, ndërsa në korrik-gusht i kalonim 700 pikët. Si rrjedhojë, ka ardhur edhe rrëshqitja në renditjen UEFA, ku tashmë jemi të 30-t në Europë. Duhen “falënderuar” rezultat e dobëta të fundit të shumë ekipeve europiane që kanë bërë të mundur që Shqipëria të mos pësonte një rrokullisje të mëtejshme, edhe pse është ndër “humbëset” më të më mëdha të kontinentit tonë për muajin e fundit (pas Malit të Zi që ka rënë me 27 vende njëherësh).

Renditja në grupin eliminator të Botërorit 2014 është pasqyruar edhe në klasifikimin e FIFA-s, pasi me përjashtim të Qipros, e 134-a në botë, të gjitha ekipet e tjera të grupit na e kanë kaluar, përfshirë këtu Norvegjinë, të cilës i kemi marrë 4 pikë në dy ndeshjet direkte në grup. Ironik është fakti se tashmë në elitën e futbollit botëror është ngjitur Islanda, që mban vendin e 46, pasi siguroi pjesëmarrjen në play-off. Nordikët, në fillimin e eliminatoreve, ishin skuadra e renditur më keq në grup, pasi mbanin vendin e 130 në botë, por kanë bërë një ngjitje graduale, që tashmë i ka kthyer në pretendentë për të shkuar në botëror. Ndërsa një shembull më vete është Zvicra, skuadër që falë pikëve të marra në dy ndeshjet e fundit, është ngjitur në vendin e shtatë në botë, duke u bërë njëkohësisht kokë vazoje në pjesëmarrjen në Botëror, duke lënë pas ekipe me emër si Holanda, Italia e Anglia.

Vazot e Botërorit

Renditja e FIFA-s e këtij muaji ka qenë vendimtare për dy arsye. E para është ajo e ndarjes në dy vazo të skuadrave europiane që marrin pjesë në play-off për Botërorin 2014. Në bazë të renditjes, në vazon e parë janë vendosur Portugalia, Greqia, Kroacia dhe Ukraina, ndërsa në vazon e dytë janë Franca, Suedia, Rumania dhe Islanda. E dyta është renditja në vazot e Botërorit 2014, ku është konfirmuar se në vazon e parë janë Brazili, Spanja, Gjermania, Argjentina, Kolumbia, Belgjika dhe Zvicra. Se kush do të jetë në vazon e tetë do të përcaktohet nga kualifikimi apo jo i Uruguait, në të kundërt ai vend i shkon Holandës.