Januzaj: Do te luaj per ate kombetare qe ma kerkon babai (VIDEO)
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Abedin Januzaj, babai i talentit të njohur Adnanit, ka akuzuar krerët e FSHF-së se kanë dezinformuar opinionin publik dhe se për aq kohë sa të jenë këta punonjës në federatë, ai nuk do të pranojë asnjë negociatë. Në një intervistë dhënë për televizionin kosovar “KTV”, babai i Januzajt, njëherazi edhe menaxheri i tij, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë interesimi zyrtar nga ana e FSHF-së. Ai ka thënë gjithashtu se federata ka gënjyer kur ka thënë se ka kontaktuar me lojtarin 8 muaj më parë.
Ajo që më së shumti diskutohet në Kosovë e Shqipëri besoj e dini, angazhimi i tij në ndonjë kombëtare. Situata e tij është paksa e komplikuar, duke e ditur se ai ka shumë mundësi të zgjedhë. Cilën do të zgjedhë?
Do e publikoj në ditët e ardhshme. Kohët e fundit është folur shumë në mediat shqiptare se Adnani ka profil në “Facebook”. Adnan Januzaj nuk ka profil në “Facebook”, e as unë nuk merrem me të. Në “Facebook” po bëhet një fushatë “Adnan, thuaj po Shqipërisë”. Këtu dua ta sqaroj sepse është një temë më delikate.
Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë… nuk do të them ofertë se ofertë është diçka tjetër, por nuk kam pasur asnjë thirrje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit për Adnan Januzajn së paku të bisedojmë. Këtë opinioni shqiptar duhet ta dijë qartë, këtu është duke folur babai i tij. Dhe, menaxheri i tij njëkohësisht….
Dhe menaxheri i tij në disa çështje që unë i kontrolloj. Federata Shqiptare e Futbollit asnjëherë nuk ka bërë thirrje. FSHF-ja vetëm ka bërë dezinformata se e ka kontaktuar Adnan Januzajn. Madje, nuk i di edhe emrat si i kanë ata. Kohët e fundit vëllezërit më thanë ka qenë një nënkryetar i FSHF-së që ka thënë se kemi biseduar me babanë e Adnan Januzajt, që është totalisht gënjeshtër.
Para dy netësh më thanë se ishte bërë një emision në “Klan” dhe se duhet ta shikoja patjetër për të parë se çka u fol aty. Jo, Januzaj nuk e ka refuzuar FSHF-në, se nuk kam pasur kë të refuzoj, pasi nuk kam biseduar me askënd. Dikush mund të thotë se nuk e ka hapur telefonin. Nuk është vetëm numri i telefonit një provë. Është Mançester Junajtid ku duhet të shkojnë dhe ta bëjnë kërkesën si e kanë bërë të gjitha shtetet e tjera, por ata nuk e kanë bërë as atë punë.
Para dy ditësh klubi më tha se një zyrtar i Ministrisë së Shqipërisë kishte tentuar të fliste me Adnan Januzajn, çka është absurde dhe që nuk mund ta bëjnë jo ata, por askush nuk mund ta bëjë, pasi duhet të kalojë në bazë të instancave, njerëz të cilët kanë kompetenca mbi Adnanin, sepse Adnani nuk mund dhe nuk merret me këtë punë dhe kështu ia kanë mbyllur derën vetes. Madje, ka shkuar në emision presidenti apo kush është ai dhe tha “nëse e ndien flamurin le të luajë për Shqipërinë, nëse jo le të luajë për Serbinë”. Kjo nuk të lë mundësi që t’i japësh një rast ekipit nacional të Shqipërisë që ta inkuadrojë Adnan Januzajn.
Pra, ju jeni të mllefosur me mënyrën si ata e kanë menaxhuar këtë situatë?
Po, ky është problemi, se ata ia kanë mbyllur vetes derën. Tek unë duhet të vijnë vetëm njerëz që janë të përgatitur profesionalisht dhe korrektë.
A do e pranonit zotin Duka. Ai është kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit?
Jo.
Pse?
Sepse kanë bërë disa dezinformata. Nuk e njoh zotin Duka, por flas se si FSHF-ja ka reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe joprofesionale.
Do të thotë se gjasat janë minimale që Adnani të luajë për Shqipërinë një ditë?
Tani për tani nuk do t’ia mbyll derën krejtësisht ekipit nacional të Shqipërisë, sepse ne jemi shqiptarë. Unë kam lindur në Kosovë, në Istog. Një deputet i Kosovës thotë se ekziston një dokument se Januzaj ka shkuar nga Kroacia. Unë nëpër Kroaci kaloj vetëm kur vij me pushime, sepse unë kam dalë nga Kosova në vitin ’90 drejt Belgjikës me pasaportë jugosllave në atë kohë dhe kështu që atje jam martuar, shoqen e kam shqiptare nga Istogu. Nuk e di se si qarkullojnë se shoqen e kam nga Kroacia. Ato janë gënjeshtra.
Shqipërisë përfundimisht nuk i thoni jo?
Nuk do t’ia mbyll derën asnjë kombëtareje, e posaçërisht ekipit shqiptar. Por, derën e kanë mbyllur vetë, sepse kanë bërë dezinformata të çmendura. Thonë që e kemi ftuar në moshën 13-vjeçare, çka është çmenduri. Për këtë arsye, njerëzit që punojnë në FSHF nuk kanë shanse të negociojnë me Adnan Januzajn. Duhet të vijnë njerëz profesionistë dhe të përgatitur. Nuk kanë efekt tek unë. Kanë provuar edhe përmes Lorik Canës. Unë e respektoj atë lojtar. Ka bërë karrierë të mirë, por ai nuk ka influencë që djali të luajë për Shqipërinë, aspak. Jo ai, por askush. Vetëm njerëzit, të cilët janë profesionalistë dhe punojnë ashtu siç duhet, mund të vijnë të ulen të bisedojnë me mua.
Me Belgjikën si qëndron puna?
Për Belgjikën tani për tani nuk do të luajë. Do të përqendrohet totalisht për klub. Ka pasur disa tentativa të trajnerit të Belgjikës që ta marrë Januzajn, sidomos kundër Kroacisë.
Trajneri i Anglisë, Roi Hoxhson, ka thënë se dëshiron që Adnani të luajë për Anglinë?
Ka pasur disa zëra. Nuk ka thënë se do e marrë, por ka thënë se e përcjell dhe në qoftë se ka mundësi juridike do ta bëjë kërkesën që eventualisht të bëjë diçka për të. Por ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim, edhe në drejtimin e Shqipërisë e Belgjikës. Jam i fokusuar për momentin me Mançester Junajtid.
Normalisht, shumica dëshirojnë që Adnani të luajë për Kosovën, për vendin e vet?
Po, sepse unë kam lindur aty. Mirëpo, situata politike tani për Kosovën është më delikate, sepse FIFA nuk e ka pranuar FFK-në. Por, këto janë çështje që duhet t’i shikojmë pak më vonë. Nuk përjashtohet që një ditë Adnani të bëhet edhe pjesë e kësaj kombëtareje.
Mediat ndërkombëtare kanë shkruar edhe për mundësinë që Adnani mund të luajë për Turqinë e Serbinë?
Këto dy opsione janë të pamundura. Nuk e di se si njerëzit e shohin inkuadrimin e Adnanit te Serbia. Nuk ka kurrfarë mundësie. Dikush thotë se edhe Kroacia. Turqia e Serbia janë të përjashtuara si mundësi.
Çfarë do t’u thoni njerëzve që janë krenarë me Adnanin?
Unë e kam përshëndetur gjithë popullin shqiptar për përkrahjen dhe i falënderoj të gjithë, edhe Adnani i përshëndet. 90 për qind e popullsisë dëshiron ta dijë se a do të luajë, apo jo për Shqipërinë. Njerëzit profesionistë e kanë derën të hapur të flasin me mua, por me ata që dezinformojnë nuk do të flas.
Januzaj: Do luaj për atë kombëtare që kërkon babai
Talenti më i kërkuar në Europë, Adnan Januzaj, thotë se të ardhmen e tij do e vendosë babai. “Do të luaj për atë kombëtare që do të më thotë babai. Unë dua vetëm të bëhem lojtari më i mirë në botë me Mançesterin”, – ka thënë talenti kosovar i Mançester Junajtid për televizionin “KTV” në Kosovë.
Sa ka qenë i rëndësishëm për ju debutimi i plotë te Junajtid dhe shënimi i dy golave?
Shumë, prej fillimit kam dashur të luaja për Mançester Junajtid. Kam fituar rastin dhe kam shënuar dy gola, që është gjë shumë e mirë për mua, familjen e tifozët.
Si e keni përjetuar pas ndeshjes. Si kanë reaguar trajneri dhe lojtarët?
Shumë mirë, të gjithë erdhën e më uruan. Për mua ka qenë gjë shumë e mirë dhe jam i gëzuar që kam shënuar dy gola.
A keni pritur të kini këtë minutazh, duke ditur moshën që keni?
Po, kam punuar shumë në stërvitje dhe m’u dha rasti të luaja atë ndeshje. E kam ndier se do të shënoja dy gola.
Si prisni të vazhdojë sezoni me Mançester Junajtid?
Kam ardhur të luaj në Mançester, gjithnjë kam dhënë dhe do të jap maksimumin për t’u bërë lojtari më i mirë në botë. Si i keni marrëdhëniet me lojtarët.
Me cilin keni marrëdhënie më të mira?
Me Robin Van Persie, Patris Evran… të gjithë lojtarët janë të mirë, kemi marrëdhënie të mira, flasim, diskutojmë.
Nga kush mund të mësoni, meqë jeni i ri?
Nga Rajan Gigsi, pasi luan në pozitën ku aktivizohem edhe unë. E pyes atë, ai flet dhe unë e dëgjoj me vëmendje.
A keni pritur të keni edhe më shumë minutazh?
Kam dashur të luaja për Mançester Junajtid dhe kam dhënë çka kam mundur nga vetja dhe në fund jam shpallur lojtar i ndeshjes. Me siguri e dini se në Kosovë ju ndjekin shumë.
Çka do t’u thoni tifozëve prej këtu për suksesin tuaj?
I falënderoj shumë, ndoshta do të shënoj edhe më shumë gola për ta.
A e vizitoni Kosovën?
Po, vij në Kosovë për vizitë, pasi kam familjen, të gjithë i kam atje.
Kush vendos se për cilën kombëtare do të luani?
Babai im është për këto gjëra prapa meje. Po të më thotë babai “të luash për këtë kombëtare”, do të luaj. Do e dëgjoj babanë. Kam ardhur këtu me të dhe ai i di të gjitha.