Federata Ruse e Atletikes mohon akuzat per doping
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Federata Ruse e Atletikës ka hedhur poshtë akuzat e një dokumentari televiziv gjerman, që pretendon se doping-u dhe korrupsioni "mbretërojnë" në sportin rus. Federata i ka hedhur poshtë pretendimet duke i cilësuar ato si "gënjeshtra".
"Federata beson se dokumentari është një provokim me qëllim diskreditimin e sportit rus", tha presidenti i RAF, Valentin Balakhnichev, sipas BBC.
"Ne po i shikojmë të gjitha mundësitë për të mbrojtur të drejtat tona. Në qoftë se është e mundur në bazë të ligjit rus dhe gjerman, ne do të marrim masat e duhura ligjore për akuzat shpifëse të bëra kundër nesh". Programi që u shfaq në "Das Erste" të mërkurën, paraqiti një video të fshehtë, ku shfaqeshin testet pozitive në doping të sportistëve rusë.
Sipas dokumentarit, 99% e atletëve të zgjedhur për të përfaqësuar Rusinë, përdorin substanca të ndaluara. Ai gjithashtu implikon Shoqatën Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës (IAAF) në mbulimin e abuzimit. Balakhnichev deklaroi se pretendimet e personave që flasin për përdorimin e substancave të ndaluara, nuk janë të besueshme, pasi janë bërë nga persona që kanë antipati ndaj atletëve rusë.
"Federata Ruse e Atletikës është e angazhuar në luftën e saj kundër doping-ut në sport dhe ne do të vazhdojmë këtë proces", tha ai.