E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Dopingu, plaga e pasherueshme

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dopingu, plaga e pasherueshme

Peshëngritësja Romela Begaj është sportistja e fundit në radhë në Shqipëri, e cila ka rezultuar pozitiv në testin anti-doping. Të gjitha rastet e përdorimit të tulantëve të palejuar dhe cili ishte rasti i parë në vitin 2007. Ajo është pezulluar përkohësisht nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, tashmë pritet testi B për të ditur fatin e saj

Emocionet e një triumfi nuk kanë të përshkruar. Momentet e fundit që ndajnë një sportist apo atlet nga suksesi janë momente të papërsëritshme, pasi siç dihet “fituesi shkruan historinë, të tjerët maksimumi mund ta lexojnë atë”. Prandaj egoja dhe dëshira për të shkruar historinë shtyn sportistë e atletë drejt joshjes më të errët, atë të përdorimit të substancave stimuluese për të mbërritur rezultate, të cilat pa ndihmën e kimikateve vështirë se mund t’i realizonin.

Ndër sportet më të prekura në këtë drejtim janë çiklizmi, atletika, peshëngritja, por edhe sporte të tjera që bazohen tek forca dhe përgatitja fizike e atletëve. Historia me dallgët e saj shpeshherë ka nxjerrë në breg realitete vështirësisht të besueshme sa i takon përdorimit të këtyre substancave. Marco Pantani, i mirënjohur si “Pirati”, çiklist dhe fitues i shumë tureve prestigjioze, duke u kthyer në një legjendë në sportin e tij, ka rezultuar pozitiv në përdorimin e substancave të ndaluara.

Po ashtu edhe Luiz Amstrong, fitues i 7 “Touer de France” ka rezultuar pozitiv në përdorimin e këtyre substancave. Amerikani ndër të tjera ka shokuar të gjithë teksa ka thënë se do të ishte e pamundur për të apo për këdo të fitonte 7 “Tour de France” pa doping. Po ashtu, rekordmeni amerikan Tyson Gay dhe vrapuesi xhamajkan, Asafa Powell, ish-rekordmen botëror në 100 metra, kanë dështuar në testet për përdorim substancave të ndaluara. Gay nga një test jashtë gare në maj të vitit 2013,  rezultoi pozitiv për një substancë e cila mbetet e pazbuluar, duke humbur në këtë mënyrë botërorin që u zhvillua korrikun e vitit 2013.

Po atë vit, në testet e kryera për botërorin në fjalë humbën mundësinë e pjesëmarrjes dhe garues të tjerë, ndër më të njohurit janë sprinterët Asafa Pauell, Sharon Simpson dhe Nesta Karter, të cilët kanë rezultuar pozitivë në testet e para të anti-dopingut. Rastet e përdorimit të dopingut janë të panumërta. Sportet e përfshira nisin nga futbolli dhe përfundojnë tek sportet më të rënda fizikisht.

Rasti i parë i konfirmuar i përdorimit të dopingut në botë daton në vitin 1988, kur atleti Ben Johnson rezultonte pozitiv, duke futur një trend të ri në botën e sportit. Kanadezi fitonte ‘Medaljen e bronztë’ në lojërat olimpike në 100 metra dhe vetëm katër vjet më vonë në Seul arrinte të fiksonte rekordin e ri. Por kjo furi nuk zgjati shumë, pasi në analizat e anti-dopingut atij iu gjet një sasi e konsiderueshme asteroidesh, çka çoi në heqjen si të rekordit dhe të medaljes për atë garë. Gjithsesi, bota e sportit njeh edhe një rast në vitin e largët 1897, kur çiklisti anglez vdes nga Aphetamina, por jo e zyrtarizuar si doping në atë kohë.

Pikërisht në kuadër të këtij fenomeni nisën dhe një sërë politikash për ta bllokuar që në embrion këtë plagë të re që ka kapluar sportin, por fatkeqësisht pa sukses, pasi dëshira për të fituar mbizotëroi edhe frikën e dënimit, duke e përhapur përdorimin e dopingut me një shpejtësi të madhe. Për këtë arsye, në vitin 1999 u krijua Agjencia Botërore Anti-Doping (World Anti-Doping Agency), një shoqatë e pavarur, e me seli në Lozanë, që mori jetë pas kërkesës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO) dhe objektivi i saj ishte për të luftuar dopingun në sport.

Në vitin 2001, WADA e spostoi selinë nga Zvicra, në Montreal në Kanada. Kjo agjenci punon për të ndihmuar federata të veçanta sportive dhe për të përmirësuar testet antidoping. Shpesh publikon edhe listën e medikamenteve të ndryshme, përdorimi i të cilave përbën thyerje të rregullores nga sportistët. WADA financohet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) dhe nga qeveritë e disa vendeve të zhvilluara.

Dopingu në Shqipëri

Një lajm tronditës preku dje sportin shqiptar. Romela Begaj, kampionia e botës në peshëngritje, ka rezultuar pozitive në testin antidoping, çka ka sjellë dhe pezullimin e përkohshëm të saj në aktivitet ndërkombëtare të peshëngritjes. Siç bëhet me dije nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, në testin antidoping ndaj Begajt ka rezultuar një dozë e lartë stanozoloiti në gjak.

Prej këtej është marrë dhe vendimi për ta pezulluar peshëngritësen shqiptare përkohësisht, deri sa të bëhet edhe testi B. Ky test është thelbësor në kësisoj rastesh. Nëse edhe ky test konfirmon të njëjtën gjë, atëherë peshëngritësja rrezikon dy deri në katër vjet pezullim dhe në rast se testi B nuk rezulton pozitiv, pra e vlerëson të pastër, atëherë Begaj ka të drejtë të apelojë vendimin e FNP-së.

Por rasti i Begajt nuk është rasti i parë në Shqipëri. Peshëngritja, sporti më elitar shqiptar në botë, është bërë jo pak herë edhe protagonist i kontrollove nga Agjencia Ndërkombëtare e Anti-dopingut (WADA). I pari që nuk i ka shpëtuar substancës stimuluese ka qenë Ilir Kafarani e pas tij Isa Bala, Mirjan Loti dhe e vetmja femër Fetije Kasaj, por në dy raste edhe Romela Begaj (ky i sotmi rasti i dytë).

Sipas Federatës Botërore të Peshëngritjes, Kafarani është kapur me doping në kampionat europian, për përdorim stanozololi. Ndërkohë, peshëngritësja Kasaj u përjashtua me dy vite nga konkurrimi. Jo vetëm kaq, por Kasaj u detyrua të kthejë mbrapsht edhe dy medaljet e argjendta të fituara në kampionatin europian të zhvilluar në Strasburg të Francës.

Gjithsesi, tani Kasaj e ka mbaruar dënimin, madje ka qenë vitin e kaluar edhe pjesë e delegacionit
sportiv shqiptar në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”. Gjithsesi, rasti më i bujshëm është ai i vitit 2012, ku Erkand Qerimaj u pezullua për 1 vit, pasi fitoi titullin europian në vitin 2012, pasi kishte përdorur methylhexaneamine dhe për këtë rast iu hoq dhe medalja e artë.

Ndërkohë që po këtë vit u pezullua para Olimpiadës së Londrës, Hysen Pulaku me Hydoxystanozolol dhe Ilirian Suli. Por rastet e para me doping për peshëngritjen shqiptare u regjistruan në vitin 2007 kur ishin plot 3 peshëngritës kuqezi që u përjashtuan, Isa Bala, Mirjan Lozi dhe Fetije Kasaj, asokohe një prej sportisteve më të mira shqiptare për rezultatet e saj.