FSHF kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Federata Shqiptare e Futbollit duket se është në nisje të një sfide tjetër ligjore, pas asaj të fituar me UEFA-n në KAS.
Me vonesën që iu bë në aeroportin e Vjenës nga kompania ajrore, institucioni i futbollit në vend është gati që të nisë një betejë ligjore për të marrë dëmshpërblimin. Bëhet fjalë për 50 mijë euro shpagim që kërkohet nga "Lux Air", e cila operon për këto udhëtime me kompaninë "Austrian Airlines". Mediat gjermane kanë bërë jehonë për këtë ngjarje dhe kanë bërë me dije se pala shqiptare kërkon dëmshpërblim për atë që ka ndodhur. Ashtu siç e kishte paralajmëruar më parë edhe "Panorama Sport", federata reagon për atë bllokim në aeroport ku iu shkaktua një dëm financiar rreth 50 mijë euro. Po atë ditë, Federata Shqiptare e Futbollit reagoi publikisht me një kërcënim që do ta ndiqte ligjërisht këtë çështje. "Pas kësaj ngjarjeje të paprecedentë, FSHF do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për dëmtimin moral dhe financiar të shkaktuar nga kompania ajrore. Jemi të vendosur që t'i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje", citohej dje në komunikatën e institucionit të futbollit për ngjarjen në aeroport.