FSHF-ja jep alarmin: Stadiumi 'Qemal Stafa', jashte funksionit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mungesa e vendeve të parkimit është shndërruar në një gangrenë për kryeqytetin, ndërsa pjesa para stadiumit “Qemal Stafa” është shndërruar në një parking gjigant. Por Federata Shqiptare e Futbollit ka ndezur sirenën e alarmit, pasi stadiumi i vetëm kombëtar del jashtë funksioni, duke qenë se zona tashmë është e rrethuar dhe e gjitha kjo ndodh në prag të eliminatoreve të Botërorit 2014 dhe 4 ndeshjeve të parashikuara nga FSHF-ja. “Njoftimi për bllokimin e sheshit para stadiumit dhe të një pjese të madhe të perimetrit të stadiumit, është shqetësues për ne, sepse e nxjerr stadiumin jashtë funksionit. Asnjë stadium tjetër nuk është i licencuar nga FIFA dhe UEFA. Për ndeshjen e sezonit të kaluar me Gjeorgjinë, ne kemi kërkuar të luajmë në Shkodër, por UEFA nuk na e miratoi. Stadiumi i Durrësit po ashtu. Mund të luash ndeshje miqësore, por jo ndeshje zyrtare. Për stadiumin e Korçës është e njëjta situatë. I mungojnë disa elemente, por e para është distanca prej më shumë se 100 km larg aeroportit të vendit”, thotë Eduard Prodani, sekretar i përgjithshëm në FSHF.