e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Albania United' dhe fara e futbollit ne fushat amerikane

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Albania United' dhe fara e futbollit ne fushat amerikane
Disa nga ndeshjet e Kupës Botërore 2010, ishin ndër më të ndjekurat në Shtetet e Bashkuara, sipas kompanisë së mirënjohur të matjes së shikueshmërisë televizive, Nielsen Media. Kjo, kombinuar me faktin se Nathan dhe Dan, dy personazhet e serisë së famshme amerikane Gossip Girl shihen shpesh nëpër episode të luajnë futboll, mund të jenë tregues të mirë se futbolli po depërton pak më thellë në fibrat e jetesës amerikane, e cila deri më tani ka qenë mjaft indiferente ndaj këtij sporti.

Një vend që gjithnjë përpiqet të jetë i dallueshëm në traditat e besimet e tij, SHBA eshte, nga ana tjeter, imtesisht e thurur me po ato mënyra jetese si rezultat i strehimit  të shumë komuniteteve emigrante. Vetë premtimi i Amerikës për një jetë më të mirë, vazhdimisht i flet shumë zemrave kudo në botë, shumë prej tyre të rritura me dashurinë për të luajtur dhe parë futboll. Ergys Struga është trajneri i Albania United, një skuadër futbolli e qytetit Roslindale, që luan në Divizionin I të Ligës së Shtetit të Massachusetts. Siç e sugjeron vetë emri, kjo është një skuadër e lindur nga interesi i përbashkët i nje grupi bashkekombasish ndaj futbollit.

Ergysi dhe skuadra e tij fituan kampionatin e këtij viti për futbollin në fusha te mbyllura në New England (rajon që përfshin Massachusetts dhe një sërë shtetesh përreth) në formacionin 8v8. Një skuadër që është sa lokale aq edhe ndërkombëtare, Albania United bazohet në dy qytetet e Roslindale dhe Quincy. Skuadra u formua 11 vjet më parë, kur Florian Struga, xhaxhai i Ergysit, la pas karrierën e tij me 17 Nëntorin e Tiranws për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Njohja me disa bashkwkombas të apasionuar pas futbollit, e shtynë të krijonte një ekip në Massachusetts. Kampionati i parë për skuadrën ishte një ligë spanjolle rajonale.

Në fushat e Massachusetts, Albania United nuk është e vetmja me ngjyrime etnike në emër dhe formacion. Në fakt, në kalendarin e Massachusetts State Soccer League emra të tillë skuadrash si Boston Olympiacos (Greke), Green Briars (Irlandeze), dhe West Africans United (Afrikane) flasin qartë për mënyrën se si futbolli po mëkohet në zemrat e komunitetit: përmes pasionit dhe iniciativave të grupeve me lidhje kombëtare.
Skuadrat e futbollit nga Shqipëria nuk shkëlqejnë shpesh në kampionatet europiane dhe as kombëtarja shqiptare nuk arrin shpesh majat e garimeve ndërkombëtare. Prandaj është interesante që një grup futbollistësh shqiptarë që kanë gjetur njëri-tjetrin në zonat rreth e përqark qytetit të Bostonit, kanë krijuar një skuadër të sukseshme, që korr shumë fitore madje merr dhe kupa në kompeticione si MSSL, ku skuadrat formohen nga lojtarë të vendeve me tradita suksesi në këtë sport. “Talenti nuk na mungon në Shqipëri”, thotë Ergysi. “Politika s’na le të qetë atje. Këtu s’kemi politikë”.

Floriani, presidenti i skuadrës, shkon edhe  më tej duke thënë se do ti pëlqente të ftonte skuadra nga Shqipëria, të luanin në Amerikë për garime të shkurtra. “Mund të realizojmë kompeticione deri me 4 skuadra, ku një skuadër shqiptare do ishte konkurrente. Mund ta organizojmë  pa problem, nëse qeveria shqiptare mundëson ardhjen e tyre këtu”.

Specialistët amerikanë thonë se një ndër arsyet më të forta pse futbolli s’ka njohur shumë popullaritet dhe përkrahje në ShBA, është mungesa e “street soccer”, kultura e të luajturit futboll në lagje ndër fëmijët, të rinjtë, e ndonjëherë edhe të moshuarit. Është diçka që në vende të tjera, shpesh të varfra dhe kaotike, ka lindur natyralisht. Prezantimi i nxënësve të shkollave amerikane me lojën e bukur organike të këtyre kulturave do të frymëzonte më shumë dashuri ndaj futbollit.

Skuadra me ngjyrime kombëtare si Albania United, dëshira e tyre për ta mbajtur gjallë sportin, iniciativat për të vënë në jetë turne të ndryshme në Amerikë, mund të shërbejnë si një pjalm pjellor për fushat e futbollit në këtë kontinent. Se sa të suksesshme janë iniciativat e tyre për të sjellë skuadra nga vendet përkatëse, varet shumë edhe nga mundësitë e qeverive të këtyre vendeve, apo sponsorëve privatë për të bashkëpunuar. Është e vërtetë se ndonjëherë fati i luanit të kapur peng është në duart e miut që mund të brrejë rrjetën. Po ashtu fati i popullaritetit të futbollit në Amerikë, mund të varet nga mundësia e vendeve të vogla e më pak të begata se ajo,  për të bashkëpunuar për të mirën e sportit. Jetojmë vërtet në një botë globale ku i gjithë rruzulli nuk është më i madh se një top futbolli.