e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Guardiola: Leksioni i fundit i nje kampioni

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Guardiola: Leksioni i fundit i nje kampioni
Mbyllet një epokë që bëri historinë e futbollit. Nga Murinjo te Abidal, të gjitha psetë e karrierës së shkëlqyer dhe lamtumirës së dhimbshme. Faleminderit Pep! “E ndiej brenda vetes se nuk mund të bëj më shumë”, tha dy ditë më parë, përpara futbollistëve të tij dhe gjithë Spanjës e cila kishte ndaluar “frymën” dhe ishte ulur para televizorit për të dëgjuar vendimin e tij, Pep Guardiolës. “Pyes veten nëse ia vlen akoma të luftosh në këtë fushë”, i kishte shkruar pak javë më parë një mikut të tij. Në këtë kohë të çmendur “luftërash” të pista, futbolli të sëmur nga paraja, brenda një bote me para të bëra nga korrupsioni, në këtë betejë ofendimesh, dhune, mashtrimi, korrupsioni.

“Ngrihem çdo mëngjes në orën 6 duke i vendosur vetes një qëllim, dhe nuk shtrihem në shtrat nëse nuk kam bërë gjithçka që është e mundur”. Pep është luftëtari, lideri i një toke antike. Etikë, lodhje, integritet. Teksa thoshte fjalët e fundit të lamtumirës nga Barça iu drejtua Seydou Keita-s: “Ke qenë një nga burimet e mia më të mëdha të frymëzimit”. Keita, një djalosh nga Mali, një futbollist jo titullar, por mbi të gjitha një njeri i mirë. “Kur doja të dija nëse moralisht dhe nga pikëpamja etike isha duke vepruar drejt shihja në sytë e Seydou-t. Me integritetin e tij ka qenë barometri im”. Ai dhe Abigal, që edhe pse i hoqën mëlçinë premtoi se do të kthehej sërish në fushë. “Më kanë drejtuar ata. Më kanë treguar rrugën e duhur që duhet të ndiqja”.

Dihet që heronjtë largohen shpejt, dihet që ndeshja më e vështirë është ajo e largimit nga skena: Pep Guardiola është një hero. “Ka gjithçka që duhet të ketë një kampion, një hero”, thotë mentori i tij, Juan Laporta. Një djalosh i ardhur nga hiçi, një djalosh në shërbim të skuadrës më spektakolare në botë, një luftëtar i aftë të mishërojë një model që nuk është vetëm sportiv, por edhe kulturor, social, politik. Përulësi, punë, fitore. “Mësuam edhe se si mund të humbet. Kjo lojë na mësoi shumë”, theksoi ai. Për 41 vitet e jetës së tij, ato çka ka arritur dalin e teprojnë.

Katër vite me Barcelonën ishin një përjetësi. Sepse 4 vite janë koha e duhur për të treguar veten. “Nuk po ndieja më drithërimat që do më bënin të ndihesha më mirë, sepse unë ëndërroja një ndeshje ku lojtarët të jepnin shpirtin në fushë. Nuk kërkoja asgjë më shumë. Tani dua të pushoj se e ndiej veten të lodhur. Sepse ai që nuk ndalet nuk mund ta rinisë nga fillimi. Sepse kam nevojë të kem energji për të dhënë. Dua që të çoj vajzat e mia në shkollë çdo ditë, ndërsa të dielave të ha peshk te Can Tito në Villasar del Mar. Dua të lexoj libra dhe të shkoj në stadium për t’i parë ndeshjet nga tribuna. Sepse nuk dua një vit tjetër luftë me Murinjon, nuk dua të shoh të tjerë gishta në sy, dhe as të ndiej atë presion, që vetëm sportiv nuk është. Sepse koha ime te kjo skuadër përfundoi. Kjo skuadër do të ndryshojë dhe nuk dua të jem unë ai që do bëjë ndryshimin. Sepse dy miqtë e mi u sëmurën me kancer, sepse në jetë do vdesim dhe jashtë saj na pret një tjetër botë.

Sepse mua tashmë më mungon koha, të cilën mund ta rikuperojë Tito Vilanova, që i mbijetoi një tumori, që ka fituar shumë beteja në jetë, që është rritur në të njëjtat vende ku jam rritur unë. Ai është njëri prej nesh. Nëse na duhet një lider fillimisht kërkohet në ‘shtëpi’. Ne te Barcelona kemi bërë gjithmonë kështu, ne kështu do të vazhdojmë të bëjmë”. Ai tashmë i ka të gjitha, por thekson gjithmonë se nuk janë paratë ato që kanë rëndësi në jetë. Ai tani kërkon vetëm të çlodhet. Të rigjejë veten, të rimarrë jetën në dorë. E nisi këtë aventurë me një ndeshje kundër Atletiko Bilbaos e do të përfundojë në 25 maj, sërish kundër baskëve, në fushën monarkike të Madridit. “Po ndalem për një vit. Pastaj ndoshta kthehem. Do të vijë ndonjë ditë kur mund të them se dua të stërvit sërish një skuadër.

Nuk do të pranoj asnjë ofertë nga skuadrat e mëdha. E kam thënë edhe më parë. Kam vërtet nevojë të shkëputëm nga bota e çmendur e futbollit për pak kohë. Nuk dua ta vendos veten në provë duke pranuar një skuadër tjetër jashtë Spanjës. Për mua nuk ka provë më të madhe sesa të kesh qenë trajner i Barcelonës për katër sezone. Nëse nuk do të rikthehem, do të bëj diçka tjetër që nuk ka lidhje me futbollin. Jeta ime nisi pa futbollin dhe këtë gjë ua thosha shpesh edhe lojtarëve. Do të vijë koha kur futbolli nuk do të jetë më, ndaj shikoni gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me të”. Falënderimet nuk mjaftojnë për këtë kampion të madh. Barça e Pep Guardiolës përfundon këtu: futbolli sot është më i trishtuar, është më i vetmuar. Sepse mungon ai që bashkë me Barcelonën e tij na dhuroi momentet më të bukura të futbollit spektakolar.