FOTO/Halili ndëshkon futbollistët, u heq autobusin pas humbjes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Refik Halili ndëshkon Tiranën pas humbjes. Presidenti i kryeqytetasve në fund të takimit është parë tejet i zhgënjyer nga të tijtë. Disfatat e njëpasnjëshme ndaj rivalit të përjetshëm konsiderohen si një dështim në kampin bardheblu dhe nga vetë kreu i klubit.
I irrituar nga paraqitja e futbollistëve, Halili, direkt pasi është mbyllur ndeshja, ka dhënë urdhër që autobusi të mos vinte fare para stadiumit "Qemal Stafa", duke i lënë që të gjithë në këmbë.
Ka qenë kjo masa e marrë nga presidenti karshi të tijve, të cilët po futen në histori me 8 ndeshje radhazi pa fituar kundër Partizanit. Më shumë se rezultati, ka "djegur" pikërisht paraqitja e Tiranës në fushë, e cila la për të dëshiruar.
Edhe në tribunë dukej qartazi se presidentin nuk e mbante vendi. Dhe me të drejtë, pasi askush më mirë se ai nuk e di vlerën që ka një derbi për mbarë popullin kryeqytetas. Kjo bëri që lojtarët menjëherë të kontaktonin me familjarët dhe të shkonin me makinat e tyre në shtëpi, por kishte edhe të tjerë që morën taksi.
Madje, mbi 5 të tilla janë parë para stadiumit, të cilat ishin angazhuar për të marrë futbollistët kryeqytetas për t'i çuar në shtëpi. Gjasat janë që masat të mos mbeten deri këtu. Në vazhdim pritet që të zhvillohet edhe një mbledhje dhe tematika është e qartë. Do diskutohet gjerë e gjatë për dështimin 2-vjeçar përballë Partizanit.
