e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Sukaj: Tiranës i duhet sulmues, por mua nuk do më ketë kurrë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sukaj: Tiranës i duhet sulmues, por mua nuk do më ketë kurrë

Ashtu si në derbin e fazës së parë, edhe dje Xhevahir Sukaj ka arritur të ngrejë peshë tifozët e kuq, me golin që realizoi që në fillim të takimit.sukaj Shkodrani duket se ia ka marrë dorën Tiranës, por ai pohoi se kurrë nuk e shikon veten me fanellën bardheblu. Ndërsa për golin e djeshëm ka një dedikim special, për vajzën e tij.

Sukaj, duket se ia keni marrë dorën Tiranës, pasi sërish shënuat...

Po ta shikosh, unë jam ambientuar që t'i bëj gol Tiranës. I kam shënuar gjithnjë, edhe kur isha te Vllaznia. Sot (dje) ishte i rëndësishëm trepikëshi dhe jo derbi. Luajtëm shumë dobët në Pukë, kështu që ndaj Tiranës shpaguam atë gabim.

E kishit menduar kaq të lehtë ndaj Tiranës?

Nuk mund të them kështu, pasi, përtej rezultatit, të lehtë nuk e kishim. Madje, pjesa më e bukur ishte kjo në këtë derbi, pasi nuk u detyruam që të luanim vetëm ne.

Mendoni se Tirana e rrezikon Europën tashmë?

Nuk ia uroj dhe këtë e them me sinqeritet. Shpresoj që ta arrijnë. Por, sikundër e kanë thënë vetë drejtuesit, u mungon një sulmues.

I mungon një Sukaj...

(Qesh) Jo Sukaj, pasi Sukajn nuk do ta kenë kurrë. I duhet një lojtar zone që të shtyjë topin në rrjetë.

Si e shikoni duelin Sukaj-Salihi dhe Partizani-Skënderbeu?

Mendoj se edhe Skënderbeu ka ndeshje të fortë në Laç, por shpresoj që Salihi të bëjë dy gola dhe Laçi tre. Mendoj se duke parë fushën e Laçit, që ka një tapet të mirë, nuk ka për ta pasur të vështirë Skënderbeu.

U kënaqët kur Bakaj doli me karton të kuq?

Unë personalisht nuk u gëzova, e kam shok, jemi rritur bashkë se jemi një brez. Doja t'i thosha: Çfarë bëre, pse veprove ashtu? E kam vuajtur vetë në Korçë. Përpara ndeshjes e takova. Te Tirana kam miq edhe Likën e Vucajn, por kur futem në fushë s'kam miq.

Në derbi luajtët me Torasën, kë preferoni si partner në sulm?

Nuk kam preferenca për partnerin në sulm, kur jam vetëm, vuaj shumë. Torasa më mbështeti shumë, i lëvizshëm. Më doli loja me atë, e kisha më të thjeshtë me atë pranë. E kemi më të thjeshtë me dy sulmues. Dhe Torasa ishte sulmues i deklaruar, edhe pse në disa raste tërhiqej.

Si ju duk gjykimi i Jeminit?

Nuk jam ankuar për gjykimet, por në disa raste, kur e shoh që është diçka gabim, reagoj. Më pëlqeu Jemini si gjykoi. Unë e di që nëse del jashtë reklamave duke festuar me tifozët merr karton, por më fali.

Partizani ka treguar shumë oshilacione nga Tirana te Tirana?

Ndeshjet ku kemi lënë pikë me skuadrat poshtë nesh, nuk ka qenë nënvlerësim, por jemi futur në fushë jo të karikuar. Ndaj Tiranës, motivimi ishte maksimal dhe shënuam që në minutat e para. Por të jeni të bindur se nga ky moment dhe deri në fund do të jemi maksimalisht të karikuar. Nuk ka shanse të tolerojmë me çdo skuadër tashmë.

Kujt ia dedikoni golin e fundit në derbi?

Golin ia dedikoj vajzës sime. E kam supertifoze të Partizanit dhe para ndeshjes më tha se do të shënoja gol.