FIFA, tjetër ultimatum Flamurtarit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në klubin vlonjat ka mbërritur një shkresë zyrtare nga FIFA, ku kërkohet që të bëhet sa më shpejt pagesa e borxhit ndaj ish-lojtarit të Flamurtarit, Bllazho Rajoviç.
Edhe pse nuk ka një afat konkret, klubit i kërkohet ta paguajë sa më shpejt të jetë e mundur borxhin prej 17 mijë eurosh ndaj malazezit.
Teksa konfirmon mbërritjen e këtij ultimatumi, administratori Sinan Idrizi i bën thirrje bashkisë që ta paguajë. "Ka mbërritur në klub nga FIFA ultimatumi për të paguar Rajoviçin. Ky nuk është detyrimi im. Unë pagova dhe na hoqën tri pikë, por këtë borxh s'kam pse e paguaj.
Do të vendosim në dijeni bashkinë që t'i dalë për zot këtij borxhi dhe të mos bëjë 'kukafshehtin'. Pres nga bashkia të përmbushë detyrimet, pasi ky nuk është borxhi im.
Dy pagesa i kam bërë, që nuk më takonin. Bashkia të reagojë sa nuk është vonë, pasi nëse na hiqen tri pikë të tjera, biem nga kategoria.
Unë po paguaj borxhet e tyre, por nga bashkia nuk ka asnjë reagim. Të marrë përsipër detyrimet, pasi në të kundërt do të shkojmë në Kategorinë e Parë. Kjo do të ishte e turpshme", theksoi Idrizi për "Panorama Sport".
Kujtojmë që më parë Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga FIFA për çështjen e kroatit Toni Pezo, i cili, edhe pse u pagua nga vlonjatët, sërish vendimi për dënimin u ekzekutua. Tashmë klubi rrezikon seriozisht -3 pikë të tjera, që do të ishte një goditje e madhe, për vetë pozicionin e Flamurtarit.