Akord total, Alegri rinovon pas ndeshjes në Allianz Arena
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventusi dhe Masimiliano Alegri do të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre.
Pas disa lëvizjeve, bisedimeve në prapaskenë dhe tentativave të Çelsit, por edhe klubeve të tjera si Reali i Madridit, duket se trajneri livornez është bindur që të qëndrojë në Torino, duke pranuar ofertën e fundit të ardhur nga drejtuesit bardhezi.
Drejtori Xhuzepe Marota dhe 48-vjeçari kanë shqyrtuar planet aktuale të klubit dhe ata të së ardhmes, pas të cilave kanë rënë dakord që të zgjasin kontratën, e cila pritet të ketë si datë skadence 30 qershorin 2019, kundrejt marrëveshjes aktuale, 2017.
Për më shumë, Masimiliano Alegri do të përfitojë edhe një rritje page, gati dyfishin e asaj aktuale, duke kaluar nga 2.7 milionët, te 4.9 milionë eurot neto sezonale.
Dhe nga Torino garantojnë gjithashtu se firma në kontratën e re do të vijë menjëherë pas ndeshjes me Bajernin e Mynihut. Kjo zgjedhje është një sinjal që tregon vlerësimin e madh të stafit drejtues të Juventusit për teknikun livornez, pavarësisht se cili do të jetë rezultati në "Allianz Arena".