e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Europiani, zhgënjen edhe Erkand Qerimaj

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Europiani, zhgënjen edhe Erkand Qerimaj

Sfumohen edhe më shumë shanset që peshëngritja shqiptare të ketë një përfaqësues të saj në Lojërat Olimpike "Rio 2016". qerimajPas Briken Caljes një ditë më parë në kampionatin europian për të rritur që po zhvillohet në Forde të Norvegjisë, dështoi edhe kandidati potencial kuqezi për medalje, Erkand Qerimaj.

Në baterinë A pesha 77 kg asnjë provë e realizuar në stilin e shkëputje. Jo vetëm kaq, por kampioni shqiptar do të tërhiqej nga gara në stilin e shtytje duke mos u kualifikuar në dygarësh e mohuar pikë të vlefshme për Shqipërinë në renditjen ekipore. Kësisoj del jashtë pritshmërive në Europian (kjo garë kualifikuese për Olimpiadën) edhe Qerimaj. Peshëngritësi shqiptar e nisi garën në stilin e shkëputjes me 153 kg.

E ngre përkohësisht shtangën, por pa mundur ta çojë mbi shpatulla. Pasi dështon në provën e parë, Qerimaj ngjitet direkt në pedanën kontinentale duke mos rrezikuar me më shumë peshë. Por edhe kësaj here ai e ka të pamundur, madje shtanga i ikën pas krahëve. Në tentativën e tretë në shkëputje shkodrani do të provonte 154 kg ku edhe kësaj here i ikën pas krahëve. Zyrtarisht i skualifikuar në dygarësh.

Kampion në këtë stil do të shpallej armeni Andranik Karapetian me 170 kg të realizuara në provën e dytë. Po ky sportist do të nderohej me medaljen e artë në shtytje dhe dygarësh me 367 kg. Ndërsa në stilin e shtytjes Qerimaj nuk mori pjesë fare pas dëmtimit të pretenduar prej tij që mori në gju pas konkurrimit në shkëputje.

Edhe pse pretendimet e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, por edhe vetë protagonistëve në pedanë ishin të mëdha, kampionati europian rezervoi të kundërtën, duke përmbysur gjithçka e vënë në rrezik tashmë pjesë- marrjen në Olimpiadën e Brazilit. Rezultati në Europianin e Norvegjisë quhet një dështim për Erkand Qerimajn, i cili pak muaj më parë zuri vendin e 12-të në kampionatin botëror të mbajtur në Hjuston të Amerikës ku do të realizonte 154 kg në shkëputje, 188 në shtytje dhe 342 kg në dygarësh. Garimi i kombëtares sonë vijon sot me Krenar Shorajn në baterinë B në peshën 85 kg.

Qerimaj: U dëmtova në gju, keqardhje për të gjithë

Menjëherë pas skualifikimit nga dygarëshi dhe tërheqjes përfundimtare në kampionatin europian në Forde të Norvegjisë, ka reaguar vetë peshëngritësi i kombëtares shqiptare, Erkand Qerimaj.

Në një postim të tijin në rrjetin social "Facebook", kampioni shkodran u shpreh se arsyeja e tërheqjes nga gara ka qenë një dëmtim që pësoi në gju gjatë konkurrimit. Qerimaj sqaron gjithashtu se ka qenë stafi mjekë- sor që i rekomandoi që të mos vazhdonte më garimi.

"Mbas dëmtimit të gjurit gjatë garës doktori na këshilloi që të tërhiqemi. Më vjen keq për gjithë mundin dhe djersën time, të familjes dhe për gjithë dashamirësit që më mbështesin", deklaroi peshëngritësi i kombëtares shqiptare, Erkand Qerimaj në rrjetin social "Facebook". Qerimaj nuk mundi të realizonte asnjë nga tri provat në stilin e shkëputjes, 153 kg, 153 kg dhe 154. Ndërsa në shtytje shqiptari nuk u ngjit fare në pedanë duke e lënë në mes konkurrimin mes zhgënjimit.

Përgatiti: OLGERT SERANI