Europian, medalje bronzi për Briken Caljen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Start mbresëlënës, por jo i tillë fundi. Kësh tu mund të përkufizohet konkurrimi i djeshëm për peshëngritësin e Kombëtares shqiptare Briken Calja në Europianin e të rriturve që po zhvillohet në Forde të Norvegjisë.
Medalje e bronztë e fituar prej tij në stilin e shkëputjes, por i skualifikuar në dygarësh pas dështimit në tri provat e radhës në stilin e shtytjes.
U duk qartë që sfidantët e shqiptarit në peshën 69 kg në Baterinë A në pedanë do të ishin rusi Sergei Petrov dhe turku Daniar Ismailov. Europiani nis shumë mirë për Caljen, i cili realizon me sukses provën me 142 kg. I qetë dhe i saktë në pedanë dhe finalizimi është super. Po kaq perfekt është edhe në tentativën e dytë me 145 kg, provë të cilën e ngre në limitet e kohës së lejuar. Sakaq, rusi Petrov pas dy provave të sakta me 140 e 144 kg u ngjit në pedanë për herë të fundit në shkëputje me 147 kg. E realizon.
Të njëjtën peshë provon edhe sportisti ynë, por kësaj here dështon. Nëse do ta ngrinte si peshë, do t'i rrëmbente rusit medaljen e argjendtë për shkak të peshës më të lehtë trupore (Calja 68.55 kg, Petrov 68.58 kg). Gjithsesi shqiptari ia del të rrëmbejë medaljen e bronztë.
Kampion në këtë peshë do të shpallej turku Ismailov, i ngjitur i fundit në pedanë mes 11 konkurrentëve me 155 kg të ngritura. Por stili i shtytjes rezervon tjetër histori për Caljen. Paraprakisht, stafi teknik deklaron në sekretari 175 kg, por e çon peshën në 177 kg. Pikërisht me këtë peshë, 26-vjeçari do t'i rikthehej garës kontinentale, por nuk arrin ta ngrejë dot peshën.
Zhgënjim i dukshëm te sportisti. Në provën e dytë Calja shton edhe 1 kg. E ngre mbi supe, por humb ekuilibrin duke mos e mbajtur deri në fund. Ndërkohë, në provën e tretë dhe të fundit që do ta klasifikonte në dygarësh, Calja nuk arriti ta çojë dot shtangën duke u ndalur vetëm në gjunjë. Përfundimisht, asnjë provë e realizuar në shtytje prej tij dhe "de jure" i skualifikuar në dygarësh. Gjithsesi, "ngushëllimi" i vetëm për kampionin shqiptar ka qenë medalja e bronztë.
Ismailov u shpall kampion i trefishtë i Europës me 178 kg të ngritura në shtytje dhe 333 kg në dygarësh. Sot është radha e një tjetri kandidati potencial për medalje për Shqipërinë, Erkand Qerimaj. Shkodrani i peshës 77 kg do të konkurrojë në Baterinë A në orën 19:35. Mes 10 konkurrentëve në garë, Qerimaj ka deklaruar 356 kg në dygarësh, i treti pas dy armenëve Tigran Martirosjan e Andranik Karapetian me 360 kg. Europiani është garë kualifikuese për Lojërat Olimpike "Rio 2016".
Përgatiti: OLGERT SERANI