Etrit Berisha pezullohet per 10 dite, gjobitet edhe me 15 mije euro
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dhjetë ditë pezullim. Konfirmohet kështu dënimi i Prokurorisë Federale italiane karshi lojtarit të Lacios dhe Kombëtare shqiptare. Lajmi është bërë i ditur dje nga uebfaqja “lalaziosiamonoi”, e cila kishte intervistuar avokatin e klubit, Xhentile.
“Prokuroria nuk dha asnjë mendim kundër rreth paktit që bëmë më 26 shkurt në lidhje me pezullimin dhjetë ditor të lojtarit tonë, ndaj kjo gjë zyrtarizohet edhe nga seksioni disiplinor.
Etriti në atë kohë është këshilluar gabim, pasi ai besonte se kishte firmosur një parakontratë me Kievon, por që në fakt në federatë ishte depozituar si kontratë normale. Pikërisht për këtë gjë neve këmbëngulëm në pafajësinë e lojtarit”, ka thënë avokati i klubit italian.
Duhet thënë se portieri i Kombëtares shqiptare është gjobitur edhe me 15 mijë euro, pikërisht për faktin se firmosi me një klub tjetër edhe pse teorikisht kishte një tjetër kontratë në federatë (me Kievon). Berisha u akuzua se në gusht të 2013-s firmosi parakontratë me Kievon, të cilën klubi veronez më pas e depozitoi në federatë.