Emergjencë te Zonja, Dibala dhe Markizio humbasin Empolin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Impenjimet me kombëtaret, dëmtimet dhe skualifikimet e lojtarëve e kanë bërë me dhimbje koke trajnerin Masmiliano Alegri në prag të sfidës me Empolin.
"Sportmediaset" shkruan se Dibala dhe Markizio janë mungesa të sigurta, por ditën e sotme do të bëhen ekzaminime më të detajuara për të kuptuar si ka ecur rikuperimi i tyre.
Mesfushori italian është duke punuar intensivisht për t'u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa argjentinasi duket se do ta humbasë sfidën e fundjavës ndaj toskanëve. Alegri nuk dëshiron ta rrezikojë ashtu siç bëri në derbi ndaj Torinos, por kërkon t'i japë kohën e duhur që numri 21 i bardhezinjve të rikuperohet plotësisht.
Situata
Me Bonuçin e skualifikuar, Alegri kërkon të rikuperojë njërin mes Barzaljit dhe Kielinit. Por, ditën e djeshme, trajneri i "Zonjës" ka marrë lajme shumë të mira nga infermieria sepse të dy lojtarët mund të jenë të gatshëm për sfidën me Empolin.
Në këtë mënyrë, treshja e mbrojtjes do të përbëhet nga Barzalji, Kielini dhe Rugani. Skualifikimi i Khedirës i shton më shumë problemet në repartin e mesfushës duke parë që edhe Markizio e ka shumë të vështirë për të qenë i gatshëm. Megjithatë, Sturaro, Lemina, Hernanes, Pogba, Azamoah janë gati për të zëvendësuar siç duhet gjermanin.
Lajme të mira edhe për mbrojtësin zviceran Lihshtajner, i cili u largua nga grumbullimi i helvetëve dhe me shumë mundësi do të jetë titullar për në fundjavë me Empolin. Ditën e djeshme, Alegri ka bërë stërvitje me lojtarët që ka në dispozicion, ndërsa disa prej tyre kanë vazhduar punën të diferencuar.