Partizani/ Trajneri Agostineli shtrydh lojtarët në stërvitje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Java përgatitore për ndeshjen me Laçin ka nisur me ngarkesë të lartë në kampin e kuq. Në dy ditët e para, stafi teknik i ka shtrydhur futbollistët, të cilët kanë marrë ngarkesë maksimale.
Trajneri Andrea Agostineli është i bindur se titulli kampion mund të fitohet vetëm nëse të besuarit e tij nuk do të çalojnë në asnjë aspekt në nëntë ndeshjet e mbetura.
Përpos një ekipi harmonik në fushë, përgatitja fizike shikohet si "çelësi" i suksesit për pjesën e mbetur. Në këto kushte, trajneri Agostineli e ka shtuar dozën stërvitore. Dje, të kuqtë kanë kryer dy seanca stërvitore. Paradite ekipi është përgatitur në palestër, ndërsa pasdite, për rreth dy orë, janë ushtruar në fushë.
Përgatitjet e djeshme, paradite dhe pasdite, kanë zgjatur rreth 3 orë e gjysmë. Pas përfundimit të seancës së pasdites, nën zë lojtarët e kanë pranuar se trajneri ua ka "marrë frymën", por janë të vetëdijshëm se kjo përgatitje do t'u nevojitet për ta përballuar me sukses pjesën e mbetur të kampionatit. Seanca e pasdites është ndarë në dy pjesë, ku fillimisht lojtarët kanë kryer ushtrime me karakter fizik.
Më pas kanë kryer ushtrime të ndryshme me top dhe në fund gjithçka u finalizua me një minindeshje kontrolli brenda grupit. Duke ditur se prej ditësh kundërshtari i radhës, Laçi, u është bërë si "rrodhe" në ambientin stërvitor, stafi teknik nuk ka dhënë sinjale rreth formacionit.
Madje, në ndeshjen brenda grupit futbollistët kanë qenë të përzier, pa dhënë idenë e një skuadre titullarësh. Gjithsesi, në javët e fundit trajneri Agostineli është treguar besnik i një skeme dhe titullarët janë ndërruar vetëm për arsye dëmtimesh apo pezullimi.
Për këtë fundjavë, stafi nuk ka në dispozicion Felipe Gomezin, i cili ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë. Në dallim nga seancat e fundit, dje Partizani dhe Laçi nuk janë përgatitur paralelisht në të njëjtin orar në Kamëz. Kurbinasit kanë nisur programin stërvitor gjatë pasdites së djeshme në kohën që të kuqtë mbaruan përgatitjet.
Gjatë shkëmbimit të hyrje-daljeve në fushë, lojtarë të veçantë të dy skuadrave u ndaluan duke folur dhe u përshëndetur me njëri-tjetrin. Vila kur po u drejtohej dhomave të zhveshjes u takua me durrsakun e Laçit Albi Dosti si dhe mbrojtësin Sheta. Ndërsa Stevan Raçiç si gjithnjë kur gjen rast "thumbon" portierin e Laçit, Miroslav Vujadinoviç. Por dje ata janë përshëndetur dhe kanë biseduar miqësisht.