e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Elbasani pa trajner, edhe File drejt largimit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Elbasani pa trajner, edhe File drejt largimit
Edhe pse Elbasani nuk i arriti objektivat, siç ishte ngjitja në Superiore, drejtuesit ishin të ndërgjegjshëm që fajtor për këtë nuk ishte trajneri Ilirian File. Me problemet që po kalonte Elbasani, ishte ndoshta mrekulli që u renditën në vendin e gjashtë. Në fillim u deklarua, ndonëse jo zyrtarisht, se trajner do të ishte përsëri File, por me sa duket gjërat kanë ndryshuar. Nga burime të besueshme mësohet se ka qenë vetë tekniku që nuk ka dashur të qëndrojë më në krye të pankinës verdheblu.

Duke qenë se Ilirjan File është një person që gëzon respekt në këtë qytet dhe ka njohje në arenën futbollistike në kampionatin shqiptar, është parë e arsyeshme që ai të ketë një pozicion që mund të mbulojë disa sektorë, si ai i menaxherit të përgjithshëm dhe të përzgjedhë edhe elementë të rinj nga skuadrat zinxhir. E gjitha kjo mbetet për t’u parë, sepse momentalisht nuk ka asgjë zyrtare për këtë çështje. Trajneri – Nëse File largohet zyrtarisht, atëherë posti i trajnerit do të mbetej vakant. Emrat që mund ta zëvendësonin nuk kanë munguar, por për momentin një gjë duket e sigurt, tekniku do të jetë elbasanas.

Të gjithë trajnerët e moshave në këtë qytet po lakohen në tavolinën e presidencës, si ai i Arjan Kilës, trajner i U-19 apo edhe i Sabri Dalipit, trajner i U-17. Nuk mbeten pas edhe ata trajnerë, të cilët nuk janë pjesë e ekipeve zinxhir të Elbasanit, por që trajnojnë në mënyrë private lojtarë të moshave. Fillimisht dolën në dritë emrat e Erion Sqapit dhe Ferdinand Bilalit, por deri më tani nuk ka ndonjë lajmërim zyrtar se çfarë do të bëhet me çështjen e trajnerit. Në këtë merkato verore, ku Elbasani do të përpiqet të afrojë sa më shumë futbollistë, do të ketë edhe një merkato trajnerësh. Ndërkaq, prej disa ditësh kanë nisur seleksionimet e futbollistëve të ekipeve të moshave dhe ata që do të spikasin, do të kalojnë te skuadra e parë. Megjithatë, deri tani nuk ka spikatur asnjë. Puna do të vazhdojë edhe për disa javë të tjera.