e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ekskluzive/ Supergol ndaj Mehës, Cikalleshi: Ja pse festova si i çmendur

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ekskluzive/ Supergol ndaj Mehës, Cikalleshi: Ja pse festova si i çmendur

Kronometrohej minuta e fundit e kohës së rregullt dhe pas një rrëmuje në zonë, topi përfundon në hapësirën e Cikalleshit.

12516477_1695920083998828_1653666333_nBomberi nuk mendohet dy herë, por godet fluturimthi dhe sfera ndalet në rrjetë. Gol që i ka dhënë një pikë Basaksehirit në përballjen për vendin e tretë me Koniasporin e Alban Mehës.

Festë "e çmendur" e miqve dhe gëzim i ligjshëm për sulmuesin e Kombëtares, i cili e nisi ndeshjen në minutën e 62- të.

Në prononcimin e tij për "Panorama Sport" pas ndeshjes, Cikalleshi tregoi emocionet e golit, objektivat e skuadrës, si dhe nuk harroi të përmendte situatën e vështirë që kaloi dhe Turqia para pak ditësh. "E thatë edhe ju, ishte supergol, prandaj dhe festova ashtu... (qesh)", shprehet ndër të tjera sulmuesi.

Sërish e nisni nga stoli, por i jepni një pikë skuadrës me një supergol...

Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi luhej për vendin e tretë. Unë nuk e mendoj asnjëherë minutën në të cilën zbres në fushë, por mundohem që të bëj maksimumin në çdo sekondë që luaj.

Sot (dje) më gëzoi goli, pasi erdhi jo vetëm në minutat e fundit, por na ndihmoi që të realizonim një prej synimeve.

Duke mos ndalur skuadrën e vendit të tretë, a ju zbehen shanset për ta përmbysur Koniasporin?

Nuk besoj. Kalendari është disi më i favorshëm për ne dhe, në rast barazimi pikësh, jemi ne ata që e marrim vendin e tretë.

Kjo sfidë vendoste shumë nëse ata do të fitonin dhe do të na zbeheshin shumë mundësitë. Megjithatë, ne do ta provojmë deri në fund.

Çfarë duhet të bëni tjetër që ta bindni trajnerin për t'ju llogaritur si titullar?

Nuk e bëj fare këtë diskutim. Ai ishte i gëzuar nga ajo që bëri skuadra në këtë ndeshje, pasi sidomos në pjesën e dytë kemi luajtur thuajse në gjysmëfushën e Koniasporit. Kishim edhe shanse për të marrë maksimumin. Megjithatë, futbolli i tillë është.

Çfarë do të thotë për ju ky gol?

Përpara ndeshjes kishim dy objektiva. Së pari, që të mos dilnim të humbur, pasi siç jua thashë një fitore e Koniasporit na zvogëlonte ndjeshëm shanset për vendin e tretë. Pra ai gol na bëri që sot (dje) të dalim disi të realizuar me ato që kishim qëllim ne.

Keni festuar më shumë se për çdo gol...

E thatë edhe ju, ishte supergol, prandaj dhe festova ashtu... (qesh). Me të vërtetë më pëlqeu, por duke qenë gol i minutave të fundit ma shton kënaqësinë.

Ku do të ndalet Cikalleshi me numrin e golave?

Do të më lejoni që të përsëris një përgjigje që e kam dhënë në gazetën tuaj. Edhe sikur të shënoj 30 gola, do të kem uri për të shënuar akoma më shumë.

Ky gol vjen në prag të grumbullimit me Kombëtaren në dy miqësoret e radhës...

Do të mundohemi që të marrim maksimumin në secilën prej tyre. E rëndësishme është që të realizojmë pritshmëritë që ka trajneri në këto ndeshje.

Si është përjetuar situata në Turqi pas sulmeve terroriste?

Nuk kam fjalë që të përshkruaj tmerrin që ka ndodhur. Edhe ndeshja nisi me një minutë heshtje dhe, më pas, me himnin. Jeta është gjëja më e rëndësishme për një njeri dhe, në momentin që ajo cenohet, çdo gjë tjetër kalon në plan të dytë. Edhe futbolli.