Ekskluzive/ Fiksimet në kuzhinë, ja si ushqehen kampionët (Foto)
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Të ushqyerit ka qenë gjithmonë një speci alitet, i cili, mbi të gjitha, në fushën sportive mbetet një element përgatitor, edhe pse shpesh kalon në plan të dytë.
Në futbollin shqiptar klubet neglizhojnë shumë me mënyrën e të ushqyerit të lojtarëve, por gjithsesi ka edhe skuadra që janë një shembull në këtë aspekt.
Një prej tyre është klubi kampion në fuqi, Skënderbeu. Një kuzhinier enkas për ekipin, që i shoqëron kudo. Për lojtarët bardhekuq përgatiten ushqime të mbushura me karbohidrate dhe proteina, por çelësi i suksesit mbetet mosekzagjerimi me gramaturat dhe dieta tepër strikte.
Për të parë nga afër se sa i rëndësishëm është ushqimi në një ekip, "Panorama Sport" ka kontaktuar me kryekuzhinierin e Skënderbeut, Arben Petani. Sipas tij, jo vetëm një stërvitje e mirë është gjithçka për të fituar trofe, por nuk duhet anashkaluar edhe kuzhina.
"Kjo e bën akoma edhe më të kompletuar një klub", thekson Beni, kryekuzhinier prej vitesh te "Tropikal Resort", rezidenca e Skënderbeut sa herë luan jashtë fushe.
Ai tregon se si ushqehen kampionët, duke zbuluar preferencat e lojtarëve dhe deri te tekanjozët, ata që janë më shumë "llupësit".
Gjithçka nis nga përzgjedhja e produkteve dhe gatimi i tyre në mënyrë të përshtatshme për një ekip futbolli, duke përmbajtur sa më shumë proteina dhe karbohidrate.
"Çdo gjë nis nga shërbimi. Prej vitesh, ekipit i shërbejmë bufe, ku çdo gjë është e shtruar në banak dhe secili merr dietën e ditës. Kryesisht, perimet janë ato që nuk mungojnë kurrë në pjatat e lojtarëve, duke mënjanuar brokolin dhe kastravecin, që janë të dëmshme për futbollistët.
Pjesa tjetër është e gjitha e freskët dhe në dispozicion të lojtarëve", thotë fillimisht kryekuzhinieri i kampionëve, duke vijuar më tej me recetën.
Pjatat për lojtarët
"Lojtarët kanë në dispozicion të tyre dy pjata të para. Orizi dhe makaronat janë më të përdorshmet. Nga shumica e lojtarëve preferohen të bardha, por nuk mungojnë edhe ato me garniturë e salcë, apo me fruta deti.
Zakonisht shoqërohen edhe me perimet e freskëta. Më tej, janë dy pjata të dyta, mishi i bardhë dhe ai i kuq, me gramatura të caktuara. Më e konsumueshme është filetoja e pulës, por edhe ajo e viçit është e preferuar nga lojtarët tanë.
Gjithçka mbyllet me këtë pjatë, por pa harruar frutat dhe ëmbëlsirat", tregon kryekuzhinieri Arben Petani.
Frutat dhe ëmbëlsirat
Edhe këto janë me racion, të detajuara dhe tepër strikte. Beni tregon se çdo lëvizje bëhet me lejen e doktorit të skuadrës.
"Zakonisht doktori këmbëngul që frutat të konsumohen nga lojtarët në vaktin e drekës, duke ndaluar kategorikisht ëmbëlsirat. Koha e tyre është në darkë dhe ky është një urdhër që nuk shkelet.
Por, me Bernard Berishën e kishim pak problem, pasi preferonte pas çdo vakti panakota".
Ja pjata e fatit
Mund të duket disi e çuditshme, por Skënderbeu është i tërhequr shumë nga çështja e fatit. Sikur të mos mungonte supersticioziteti i lojtarëve dhe trajnerëve, edhe kuzhina bardhekuqe ka pjatën e fatit, që sjell vetëm... fitore.
"Përgatitja për një ditë para ndeshjes është mjaft intensive këtu në 'Tropikal'. Eliminohen kryesisht produktet e mishit të viçit të një ditë më parë, dhe kërkohet që ushqimi të jetë sa më i zgjedhur dhe sa më i freskët. Por ne kemi një sekret për fitoret e shumta të arritura.
Është pjata jonë speciale, por kam frikë se të gjithë do të fillojnë ta aplikojnë këtë çelës suksesi. Në darkën e fundit para ndeshjes, sa herë që ekipi niset nga 'Tropikali', pjata me fruta deti është e vetmja që shtrohet në tavolinë.
Nuk mungon asnjëherë, por përjashtim bëjnë midhjet. Kjo është pjata fatsjellëse. Dhe gjithmonë mundohemi të mos e harrojmë. Por edhe sikur të harrojmë ne, tashmë është bërë zakon dhe na e kujtojnë lojtarët", tregon Beni, duke mos mbajtur dot të qeshurat për këtë detaj të veçantë.
Tekanjozi dhe llupësit
Si për çudi, i vetmi tekanjoz që kishte ekipi ishte Bernard Berisha, me panakotën e tij pas çdo vakti. Kryekuzhinieri i Skënderbeut tregon se në ekip nuk ka asnjë që bën naze në të ngrënë. Por, vetëm tek ëmbëlsirat ka pak kërkesa të ndryshme.
"Nuk mund të them se kemi tekanjozë në ekip. Ishte vetëm Berisha që kërkonte panakotë pas çdo vakti. Të gjithë i janë përshtatur kuzhinës italiane dhe mesdhetare që përdorim ne.
Madje, edhe Kristi Vangjeli, megjithëse për shumë kohë është mësuar me ushqimet greke, nuk ka pasur asnjë problem në përshtatje, por shpeshherë kërkon omëletë në mëngjes.
Preferencat e lojtarëve janë nga më të ndryshmet, me kapitenin Shkëmbi, që heraherës hyn në kuzhinë dhe na kërkon lazanjën. Ajo është e preferuara e tij. Arapi me Shehin, duke qenë se janë durrsakë, preferojnë më tepër frutat e detit.
Pjesa tjetër e ekipit duket se nuk përzgjedh shumë. Thjesht Vangjeli është i dhënë pas omëletës në mëngjes. Ndërsa, sa u përket atyre që mund t'i quajmë llupës, zakonisht ekipi i Skënderbeut konsumon shumë pak.
Ne u kemi shërbyer edhe ekipeve të tjera, por e çuditshme është se Skënderbeu konsumon sa gjysma e tyre. Ata që konsumojnë më shumë janë kryesisht lojtarët afrikanë. Orelesi është i dhënë gjithmonë e më shumë pas pilafit. Ha shumë pilaf dhe është ushqimi i tij më i preferuar. Ndërsa Nimaga është i fiksuar pas lëngut të frutave.
Në përgjithësi afrikanët hanë më shumë se të tjerët, por gjithmonë brenda limitit të përcaktuar nga doktori ekipit".
Salihi dhe Radas
Duket se Hamdi Salihi nuk e ka të lindur gjuetinë për golin, por e përforcon më shumë një ushqim special.
Kryegolashënuesi i Skënderbeut është i dhënë pas dietës. Ha pak dhe shfaqet gjithmonë në formë. Këtë e konfirmon edhe kuzhinieri bardhekuq.
"Salihi ha pak, është i fokusuar te dieta. Ruan shumë formën dhe përkujdeset për dietën. Por gjithsesi e ka një ushqim që e preferon dhe e ndihmon të shënojë më shumë.
Salihi preferon krostatën me mollë dhe kjo është diçka e përditshme për të", thotë Beni. Ndërsa kuzhinieri brenda ekipit është Marko Radas. Mbrojtësi kroat shpesh gatuan vetë mëngjesin. "Omëleta e tij është speciale", bën të ditur kryekuzhinieri.
LLAZI SARO



