Eglentin Gjoni, zbulimi i Nicës për mbrojtjen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mbrojtësi 23-vjeçar Eglentin Gjoni, që këtë janar iu bashkua Laçit, u aktivizua ndaj Vllaznisë për herë të dytë në një ndeshje me fanellën bardhezi.
Ai vjen si produkt i akademisë së Dinamos, ndërsa në dy sezonet e fundit ka luajtur për Kamzën. Ndaj Vllaznisë, shtatlarti bëri një paraqitje të mirë, duke i ndihmuar kurbinasit të marrin një pikë.
"Po punoj fort për të rritur parametrat. Pas testimeve të para, klubi besoi duke më përfshirë në planet e tij. Unë do bëj gjithçka për të justifikuar aktivizimin.
Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë, sepse te Laçi ka shumë futbollistë të zotë, që në çdo moment janë gati të bëjnë diferencën. Aktivizimin nga trajneri e shoh mundësi të artë për të shfaqur vlerat", deklaroi dje Gjoni për "Panorama Sport".
Ndërkohë, laçianët para se të startonin stërvitjen, gjatë së hënës janë ndalur tek analiza e ndeshjes së fundit në Shkodër. Barazimi, edhe pse është vlerësuar si sukses, sërish nuk ka entuziazmuar kurbinasit.
Tashmë Laçin e pret një takim shumë i rëndësishëm. Nica ua bëri të qartë të tijve se duhet të punojnë shumë për të thyer korçarët. Dje janë stërvitur jashtë grupit Zefi dhe Gocaj, teksa ende vuajnë problemet fizike.